Site icon Telegrafi

Ivanov për vizitë pune në Poloni, do të takohet me presidentin polak

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë pune në Poloni, ku do të merr pjesë në Forumin ekonomik të 27-të, që do të mbahet në Krinjicë – Zdruj, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Siç kumtoi Kabineti i presidentit, Ivanov do të mbajë fjalim në sesionin zyrtar në hapjen e Forumit ekonomik, me temë “Integrimi i papërfunduar – aspiratat e vendeve evropiane”, ku do të flasin edhe presidenti polak Andzhej Duda dhe presidenti i Gjeorgjisë, Giorgi Margvelashvili. Temë kryesore në forumin ekonomik të sivjetmë është “Projekti Evropa – cila është receta për dekadën e ardhshme?”.

Gjatë qëndrimit në Poloni, është paraparë që presidenti Ivanov të ketë takim dypalësh me presidentin polak, Andzhej Duda.

Presidenti Ivanov do të mbajë fjalim në Forumin e ekonomik të 12-të të liderëve të rinj.

Forumi ekonomik i cili sivjet po mbahet për të 27-ën herë me radhë paraqet konferencën më të madhe dhe më me renome në Evropën Qendrore dhe Lindore me fokus në ekonominë dhe politikën në këtë pjesë të kontinentit.

Qëllimi i kësaj nisme është që të krijohet klimë më e volitshme për zhvillim të bashkëpunimit politik në Evropë. Në Forum do të marrin pjesë mbi 3.000 pjesëmarrës nga më shumë se gjashtëdhjetë vende nga Evropa dhe bota./Telegrafi/

Exit mobile version