Site icon Telegrafi

Ivanov mban të bllokuar ligjin për ratifikimin e mrrëveshjes me Greqinë

Presidenti Gjorge Ivanov akoma nuk e ka firmosur Ligjin për ratifikim të Marrëveshjes për emrin, e cila ditë më parë u miratua në Kuvend. Nëse Ivanov deri kah mesi i javës së ardhshme kur dhe pritet të skadojë afati mbetet në qëndrimin fillestar se nuk do ta firmos, Ligji do të kthehet për rivotim në Kuvend.

Pas çka, në bazë të kushtetutës Presidenti është i obliguar ta hedh firmën, megjithatë Kushtetuta nuk parashikon asnjë alternativë për dalje nga situata nëse edhe pas rivotimit të Ligjit në Kuvend, Ivanov vendos ta mbajë Ligjin në arkivë. Gjithsesi kryeministri, Zoran Zaev tha se asgjë nuk varet as nga Ivanovi e as nga politikanët tjerë, por se për Marrëveshjen fjalën e fundit e kanë qytetarët.

Në një intervistë për të përditshmen serbe “Politika”, Zaev shprehu optimizëm se referendumi do të jetë i suksesshëm.

Ndërkohë kryediplomati grek, Nikos Kotzias gjatë ditës do t’i firmos letrat, të cilat nesër do të arrijnë në NATO dhe BE. Përmes kësaj korrespodence, Greqia do të shprehë mbështetjen e saj që vendi të fillojë negociatat për anëtarësim në këto dy organizata ndërkombëtare.

Samitit të NATO-s në korrik, i paraprin ai i Bashkimit Evropian në fund të këtij muaji. Megjithatë nëse do të marrim datë për fillim të negociatave për anëtarësim në BE varet nga Franca, e cila në mënyrë më të ashpër po kundërshton një gjë të tillë. Gjermania dhe së fundmi edhe SHBA-të përmes sekretarit, Majk Pompeo hapur i kërkuan Parisit që të heq dorë nga kjo rezistencë./Alsat/

Exit mobile version