Telegrafi

Ivanov lavdëron Maqedoninë para kompanive në Egjipt

Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov në biznes-forumin i cili sot u mbajt në Kajro, u bëri thirrje biznesmenëve egjiptianë për ta vizituar Maqedoninë, t’i shqyrtojnë kapacitetet e vazhdueshme, të njihen me përvojën pozitive të kompanive tani më pranishme dhe vetë të binden se Maqedonia ofron mundësi të mëdha për zgjerimin e biznesit të tyre, lajmëroi raportuesi i MIA-s.

“Kaluan plot 17 vjet pasi Maqedonia dhe Egjipti nënshkruan dy marrëveshje të rëndësishme, të cilat ende nuk janë ratifikuar nga pala egjiptiane. Marrëveshja për shmangie të tatimit të dyfishtë dhe për mbrojtje nga evazioni fiskal në bazë të tatimit mbi të ardhurat dhe tatimin e kapitalit dhe Marrëveshja për nxitje dhe mbrojtje të përbashkët të investimeve. Këto marrëveshje të rëndësishme, për fat të keq, kanë mbetur vetëm në letër sepse ende nuk janë ratifikuar nga parlamenti egjiptian. Shpresoj se korniza ligjore së shpejti do të konfirmohet”, tha Ivanov./Telegrafi/