Site icon Telegrafi

Ivanov: Kanonizimi i Nënë Terezës është akt që do ta bashkojë botën, të na bashkoj edhe neve

Kanonizimi është ngjarje që të gjithë neve në Maqedoni duhet të na ngrejë ndaj tensioneve dhe mosmarrëveshjeve të përditshme politike dhe të na ndihmojë ta njohim njeriun dhe njerëzimin në kundërshtarin politik. Kanoniozimi i Nënë Terezës është akt që do ta bashkojë botën. Është koha që të bashkohemi edhe ne, porositi presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov në fjalimin e djeshëm me rastin e Ilindenit në Pelince dhe në prag të shpalljes së Nënë Terezës për shenjtore më 4 shtator në Vatikan, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Shpalljen e Nënë Terezës për Shenjtore, Republika e Maqedonisë do ta shënojë me seri ngjarjesh dhe manifestimesh, ndërsa në Shkup, qyteti i lindjes së humanistes botërore do të organizohet Festimi atdhetar, i titulluar si “Muaji i Shën Nënë Terezës”.

“Maqedonia, botës çdoherë i ka dhuruar persona të cilët me mendimet dhe misionin e tyre i kanë kapërcyer dallimet dhe i kanë lidhur njerëzit dhe popujt”, tha presidenti i Maqedonisë.

Në kuadër të festimit atdhetar do të organizohet edhe aksion humanitar, derisa ngjarja qendrore do të ndodh në sheshin Maqedonia. Në vendin e shtëpisë së lindjes së Nënë Terezës është paraparë program shpirtëror, ndërsa do të shpallet edhe Shenjtorja e Shën Nënë Terezës.

Njëherit në Romë, do të prezantohet ekspozita e fotografive dhe teksteve lidhur me jetën dhe veprën e humanistes së madhe, që do ta realizojnë Ministria e Kulturës dhe IK Shtëpia përkujtimore e Nënë Terezës.

Nënë Tereza ishte fituese e Çmimit Nobël për paqe, ndërsa karakteri i saj çudibërës u njoh nga Kisha katolike e Romës.

Ceremonia e lumturimit të Nënë Terezës, e cila ishte hap drejt shpalljes së saj për Shenjtore u mbajt në sheshin Shën Pjetri në Romë në vitin 2003, në të cilin morën pjesë mbi 300 mijë besimtarë. /Telegrafi/

Exit mobile version