Ka përfunduar takimi i kryetarit të shtetit, Gjorge Ivanov, me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, ku është folur për bisedimet për çështjen e emrit.
Pas takimit, Ivanov ka ritheksuar qëndrimin e tij se nuk pranon një zgjidhje erga omnes, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Nga kabineti i kryetarit të shtetit thonë se Dimitrov e ka njoftuar gojarisht kryetarin e shtetit për bisedimet, pa ofruar ndonjë dokument të shkruar.
Në takim, Ivanov ka thënë se i tërë procesi duket si një marrëveshje personale ndërmjet dy kryeministrave, dhe se nuk u janë përmbajtur dispozitave për një marrëveshje ndërkombëtare.
Ivanov shprehet se nuk është arritur pajtim kombëtar në lidhje me procesin e bisedimeve dhe marrëveshjes së mundshme, kurse marrëveshja ndërkombëtare duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën./Telegrafi/