Një grua nga Koreja e Jugut u trondit me mijëra thirrje e mesazhe të ndryshme, pasi numri i saj i telefonit u theksua si një pikë kryesore e komplotit në serialin e popullarizuar të Netflix, “Squid Game”.
Netflix dhe kompania Siren Pictures thanë të mërkurën se do të modifikonin skenën për të hequr numrin e telefonit, i cili shfaqet në një kartë ftese misterioze dhënë lojtarëve të mundshëm të një seri lojërash.
Seria nëntëpjesëshe, që përshkruan konkurrentët duke luajtur deri në vdekje në një përpjekje për të fituar 38 milionë dollarë, u bë një hit ndërkombëtar kur shfaqi premierën gjatë muajit të kaluar.
Transmetuesi lokal SBS publikoi një intervistë muajin e kaluar me pronaren e numrit të telefonit, të cilin ata e identifikuan si Kim Gil-Young, një grua që drejton një biznes në qarkun juglindor të Seongju.
Gruaja tregoi disa nga mesazhet që kishte marrë, përfshirë kërkesat për ftesa për t’u bashkuar me “Squid Game”.
“Së bashku me kompaninë e prodhimit, ne po punojmë për të zgjidhur këtë çështje, përfshirë redaktimin e skenave me numrat e telefonit aty ku është e nevojshme”, tha Netflix të mërkurën.
Gruaja i tha SBS muajin e kaluar se ishte e pamundur që ajo të ndryshonte numrin e saj për shkak të kontakteve me klientët dhe ajo kishte refuzuar një ofertë për kompensim prej 840 mijë dollarëve.
Numrat e telefonit konsiderohen si burime të kufizuara kombëtare dhe shitjet ose blerjet e tyre janë të paligjshme sipas ligjit të biznesit të telekomunikacionit në vend.
Netflix dhe Siren kishin thënë më herët se ata me qëllim treguan vetëm tetë shifrat e fundit të numrit të telefonit dhe nuk ishin në dijeni se, kur të telefonoheshin, parashtesa do të shtohej automatikisht për të plotësuar numrin. /Telegrafi/