Mehmet Yasar Coskun, pronari i një kompleksi banimi të shkatërruar nga tërmeti, u ndalua në aeroportin Sabiha Gokcen të Stambollit teksa po përpiqej të largohej nga Turqia.
Kompleksi “Renaissance Residence” ndodhej në provincën e Hatay në juglindje të Turqisë ndërsa u shkatërruar tërësisht pas dy tërmeteve të fuqishme.
Ai po përpiqej të udhëtonte drejt Malit të Zi, ku po ndërton një kompleks banesor, raporton Anadolia.
Arrestimi u bë me urdhër të Zyrës së Kryeprokurorit Publik në lagjen Gaziosmanpaşa të Stambollit.
Sipas raportit, ai kishte me veti një shumë të parave, të cilat policia ia konfiskoi. Ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht arsyeja e arrestimit të tij.
Ndryshe, kompleksi i apartamenteve 12-katësh kishte gjithsej 250 apartamente dhe ndodhej në lagjen Antakya të Hatayt.
Kompleksi reklamohet si një rezidence luksoze që kishte ‘kaluar’ të gjitha testet e ndërtimit.
Megjithatë, ai u shkatërrua plotësisht nga një tërmet me magnitudë 7.8 që goditi qytetin e Gaziantepit të hënën në mëngjes, pasuar menjëherë nga një tërmet me magnitudë 7.5 në provincën Kahramanmaras.
Ndryshe, tërmetet kanë shkaktuar mbi 24 mijë viktima së bashku në shtetin turk dhe sirian. /Telegrafi/