Site icon Telegrafi

Iu kapën 42 qese marihuanë – një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit nga Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka bërë të ditur se Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar 30 ditë paraburgim A.U për shkak të dyshimit të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më datë 24.02.2025, në Ferizaj, konkretisht në banesën ku jeton, i pandehuri, pa autorizim ka poseduar me qëllim të shitjes substancë narkotike të llojit marihuanë, në atë mënyrë që pas kontrollit nga ana e Njësitit Anti-drogë në dhomën e tij janë gjetur dyzetë e dy (42) qese najloni me substancë narkotike të llojit marihuanë dhe një kavanoz qelqi e cila ishte e mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 95.86 gram.

“Po ashtu, të njëjtit i është gjetur një peshore digjitale dhe të holla në vlerë totale njëqind e njëmbëdhjetë (111) euro, të cilat janë sekuestruar nga policia, me çka do të kryente veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

I pandehuri A.U., që nga data 24 shkurt 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur. /Telegrafi/

Exit mobile version