Telegrafi

Iturralde: Penalltia e Realit ishte korrekte, por Bilbaos iu mohua një njëmbëdhjetëmetërsh

(Foto: Screenshot/Twitter/La Liga)

Gjyqtari i pensionuar spanjoll, Eduardo Iturralde Gonzalez, i ka komentuar vendimet në ndeshjen ndërmjet Athletic Bilbaos dhe Real Madridit, të cilën e fituan Los Blancos.

Mbretërit fituan me një gol të realizuar nga Sergio Ramos nga penalltia, kur Dani Garcia kishte ndërhyrë në Marcelon. Njëmbëdhjetëmetërshi u akordua pas konsultimit të sistemit VAR.

Duke folur për AS, Iturralde ka theksuar se konsideron që penalltia e Realit ishte e drejtë: “Ishte penallti e pastër. Lojtari i Athletic shkel në këmbën e brazilianit disa sekonda para se të vijë në kontakt me topin dhe nuk ka dyshim në mendjen time se ishte penallti”.

Lexo po ashtu Përsëri shënon Ramos dhe përsëri me penallti, Reali fiton dhe vë njërën dorë në titullin e La Ligas

Mirëpo, ai thotë se një penallti është dashur të akordohej edhe në favor të Bilbaos kur Ramos e shkeli në këmbë Raul Garcian.

“Edhe në këtë rast ishte penallti… Në kohën time nuk do ta jepja, por me rregullat aktuale dhe aplikimin e ligjit, kjo ishte penallti”, ka deklaruar Iturralde duke shtuar se gjyqtari i VAR-it konsideroi se veprimi i Ramos nuk ishte i qëllimshëm, porse me rregullat e reja duhej të ishte penallti. /Telegrafi/