Italia e ka mposhtur Holandën në stadiumin De Grolsch Veste në Enschede (3-2), për ta zënë vendin e tretë në edicionin e sivjetmë të Ligës së Kombeve.
Nikoqirët pësuan në gjysmëfinale nga Kroacia, kurse Azzurrët u mposhtën nga Spanja dhe u mbeti të luanin për medaljen e bronztë, të cilën e fituan italian.
Federico Dimarco pranoi një asistim nga Giacomo Raspadori për ta zhbllokuar rezultatin në minutën e gjashtë të takimit.
Nuk vonoi dhe Italia e realizoi edhe golin e dytë përmes Davide Frattesit, i cili ishte në vendin e duhur në kohën e duhur për ta shfrytëzuan një top të kthyer, të cilin e dërgoi në rrjetë (20’).
Në gjysmën e dytë, Tulipanët e ngushtuan rezultatin me golin e Steven Bergwijn (68’).
Megjithatë, Azzurrët rikthyen avantazhin prej dy gola epërsi me anë të Federico Chiesas (73’), i cili u asistua nga Frattes.
Holandezët nuk u dorëzuan dhe e ngushtuan sërish rezultatin përmes Georginio Wijnaldum, megjithatë kur gjyqtari dha shenjë për fundin e ndeshjes, Italia ishte fituese e duelit për vendin e tretë. /Telegrafi/