Nënsekretari Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, Benedetto Della Vedova, ka shprehur mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në një konferencë për medie, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, ai tha që s’ka kuptim që vetëm qytetarët e Kosovës të kenë nevojë për viza në Ballkanin Perëndimor. Andaj deri në liberalizimin e vizave, ai premtoi thjeshtësim të procedurave për marrjen e vizës italiane për shtetasit kosovarë.
“Italia gjithmonë e ka mbështetur dhe mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën… S’ka kuptim që vetëm qytetarët e Kosovës të kenë nevojë për viza në Ballkanin Perëndimor….Urojmë që edhe vendet që kanë dyshime për liberalizim të vizave t’i largojnë ato”, tha ai, transmeton KP.
Della Vedova foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për çka kërkoi gjetjen e një zgjidhje.
“Sa i përket dialogun Prishtinë-Beograd…Ne konsiderojmë se ky dialog duhet të përfshinë edhe komunitetin që flet serbisht në Kosovë…Ne inkurajomë dialogun, si në aspektin dy palësh dhe në kuadër të mbështetjes së BE-së të përqendrohen në pikat kyçe që janë në gjetjen e një zgjidhje”, shtoi ai.
Derisa shprehu mbështetjen edhe për integrimin e Kosovës në Bashkim Evropian.
“I qëndrojmë afër demokracisë në Prishtinë, i qëndrojmë afër Kosovës drejt integrimeve evropiane…jemi të gatshëm dhe i qëndrojmë afër Qeverisë së Kosovës që të bashkëpunojmë për gjitha marrëveshjeve, në radhë të parë në të mirën e qytetarëve të Kosovës, në të mirën e sipërmarrjeve të Kosovës dhe natyrisht në të mirën e vendit në integrimin e saj…Kjo ka të bëjë me sundimin e ligjit, demokracinë dhe sundimin e sistemit gjyqësor…Sidomos sa i prekët luftimit të korrupsionit që është i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit dhe tërheqjen e investimeve”, theksoi ai.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, nënsekretari Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, Benedetto Della Vedova, takoi edhe krerët më të lartë institucional./Telegrafi/