Telegrafi

Italia e fortë për Shqipërinë, zbehen gjasat për kualifikim (Video)

Foto: Getty Images

Shqipëria ka pësuar humbje kundër Italisë në Renzo Barbera të Palermos me rezultat 2-0.

Shqipëria pas kësaj humbje mbetet me 6 pikë, pas pesë ndeshjeve dhe me gjasa të vogla për të kërkuar pozitën e dytë.

Lexo po ashtu E gjitha që ngjau në ndeshjen Itali – Shqipëri (2-0)

Kuqezinjtë e nisën ndeshjen me një rast të Odise Roshit, por Buffon ishte në vend.

Momenti i penaltisë

Në minutën e 11-të Italia fitoi penallti. Ishte Migjen Basha ai që pengoi në zonë me duar sulmuesi Andrea Belotti dhe gjyqtari tregoi në pikën e bardhë.

Nga pika e bardhë i saktë ishte Daniele De Rossi, që mposhti Thomas Strakoshën.

Goli i De Rossit (Getty Images)

Pjesa e parë pas golit ishte qetë, por në fund provuan Immobile për Italinë dhe Roshi për Shqipërinë, por pa sukses.

Pjesa e dytë nisi me fishekzjarre të hedhura në fushë nga tifozët tanë.

Fishekzjarre në fushë (Getty Images)

Gjyqtari ndërpreu ndeshjen për disa minuta, madje i dërgoi lojtarët edhe në dhomat e zhveshjes.

Me tu kthyer në fushë Candreva provoi, por pa sukses.

Minuta e 71-të ishte vendimtare në këtë ndeshje. Harkimin e bukur në zonë të Davide Zappacosta e shndërroi në gol Ciro Immobile.

Duel Hysa – Insigne (Getty Images)

Deri në fund të dy skuadrat u munduan të bëjnë më shumë, por nuk arritën të shënojnë edhe një gol.

Pas kësaj ndeshje Italia mbetet e dyta me 13 pikë, ndërsa Shqipëria me 6 pikë është e katërta. /Telegrafi/