Sot (e enjte) zhvillohen dy ndeshje interesante në kuadër të “Play-Off”-it për kualifikim në Kupën e Botës.
Kupa e Botës “Katar 2022”, e cila do të zhvillohet në muajin nëntor, nuk i ka kompletuar ende të gjitha ekipet kombëtare.
Pesëmbëdhjetë nga 32 skuadrat tashmë janë kualifikuar duke përfshirë vendin nikoqir, Katarin.
Nga Evropa do të kualifikohen edhe tri kombëtare tjera dhe gara për këto vende është e fortë.
Njëri grup i gjysmëfinaleve padyshim së është më i forti dhe më interesanti, pasi aty gjenden fituesi i Euro 2020, Italia dhe Kombëtarja e Portugalisë.
Italia dhe Portugalia do ta kërkojnë kualifikimin nga “Play-Off”-i dhe sot do të zhvillojnë ndeshjet gjysmëfinale.
Ekipi i drejtuar nga Roberto Mancini është nikoqir i Maqedonisë së Veriut në ndeshjen që zhvillohet në “Renzo Barbera” nga ora 20:45, ndërsa në orarin e njëjtë, Portugalia pret Turqinë në “Estadio Dragao”.
Dy fituesit e këtyre ndeshjeve do të luajnë finalen e madhe më 29 mars. /Telegrafi/