Roja bregdetare italiane ka shpëtuar 235 emigrantë që po rrezikonin jetën në ujërat e Mesdheut në tentativë për të mbërritur në Sicili. Shumica prej tyre nga Eritrea, Egjipti, Sudani dhe Siria besohet se janë nisur nga Egjipti drejt brigjeve evropiane.
Emigrantët ndodheshin në ujërat mes Maltës dhe Greqisë kur kanë sinjalizuar se po rrezikonin jetën dhe kanë qenë forcat italiane bashke me ato greke që kanë kryer operacionin e shpëtimit për ti sjellë më pas në portin Augusta të Sicilisë. Qindra mijëra emigrantë vijojnë të vijnë drejt Evropës pavarësisht marrëveshjes së nënshkruar mes Ankarasë dhe Brukselit për kthimin pas të tyre në Turqi.
UNHCR tha të mërkurën se 500 klandestinë besohet të kenë humbur jetën në Mesdhe javën e kaluar, kur trafikantët e qenieve njerëzore mbushin anije mbi kapacitetin e tyre duke çuar më fundosjen e mjeteve detare bashke me emigrantët në bord.
Nëse numri i viktimave konfirmohet, kjo do të ishte tragjedia më e madhe e 12 muajve të fundit pas asaj të shënuar në shtator të 2015 ku 800 persona u mbytën në ujërat e detit Mesdhe. Deri tani gjatë këtij viti në Itali kanë mbërritur rreth 25 mijë emigrantë, 4.7 përqind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.