Site icon Telegrafi

Isufi: Do të ketë fakte të reja për kufirin me Malin e Zi

Komisioni i ri shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit me Malin e Zi është duke punuar intesivisht për të kryer punën sa më shpejt.

Anëtari i këtij komisioni, Florim Isufi ka thënë për Indeksonline se që nga fillimi i punës së tyre tashmë ka të arritura dhe ato janë duke u sistemuar, analizuar dhe verifikuar.

Sipas tij, deri më tash sa kanë arritur të sigurojnë informacione, ka fakte të reja dhe të paqenë deri më tash nga komisionet paraprake.

“Komisioni i kaluar i ka pasur rezultatet e veta. Ne kur kemi qenë si analist, ose profesionist jashtë partive dhe pushtetit, kemi pasur rezultatet tona. Kur kemi filluar të punojmë, normal kemi tentuar që së pari t’i verifikojmë rezultatet tona pastaj edhe ato të komisionit të kaluar dhe pastaj të shikojmë se rezultatet e tanishme kah anojnë më shumë dhe në fund do të nxjerrim një përfundim. Jam i sigurt se do të dal një raport me përmbajtjeje dhe me fakte të dobishme për Republikën e Kosovës. Do të ketë fakte të reja, të paqena deri më tash as nga komisioni paraprak, as nga komisioni i Jahjagës, as nga komisioni për matje, dhe as për ne”, ka thënë Isufi.

Ndërsa sa i përket buxhetit prej 49 mijë euro nga Qeveria e Kosovës për Demarkacionin, Isufi beson se një shumë e tillë është e mjaftueshme në rast se nuk do të ketë shpenzime shtesë, se sa ato të parapara deri më tani.

“Aktivitetet e komisionit janë të shumta dhe të ndryshme. Megjithëse se ky komision është për shënjimin dhe mirëmbajtjen e vijës kufitare në kuadër të aktiviteteve të veta ka dhe mirëmbajtjen e vijës kufitare. Kjo nuk do të thotë mirëmbajtja kufitare vetëm me Malin e Zi, por edhe me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Serbinë. Nëse ka dëmtime të ndryshme, janë shpenzime të cilat janë të natyrës së shpenzimeve kapitale dhe të natyrave tjera. Unë nuk jam marrë me buxhet por po ma merr menja se nëse ka aktivitete të tilla, nëse ka lëvizje jashtë vendit për mbledhjen dhe grumbullimin e dokumentacione të ndryshme. Është një buxhet që është paraparë nga strukturat që duhet të mjaftojë, po them kushtimisht”, ka shtuar ai.

Ai ka paralajmëruar se janë duke krijuar mundësi për sigurimin e disa dokumenteve të reja nga shtetet e ish-Jugosllavisë, të cilat nuk mund të gjenden në mënyrë elektronike./Indeksonline/

Exit mobile version