Site icon Telegrafi

Prokuroria Speciale: Në vitin 2024 janë ngritur 9 aktakuza dhe janë ngrirë rreth 30 milionë euro për korrupsion e krim të organizuar

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka njoftuar se gjatë vitit 2024 janë shënjestruar 8 raste të reja dhe janë ngritur 9 aktakuza.

Gjatë një konference për media, Isufaj theksoi se viti që po lëmë pas ka qenë shumë i rëndësishëm dhe me arritje të konsiderueshme për Prokurorinë Speciale.

Ai po ashtu tha se: “Një punë e mirë që është bërë këtë vit janë dhe punët e shënjestruara. 8 raste të reja kemi shënjestruar në vitin 2024, ndërsa janë ngritur 9 aktakuza. Që nga fillimi i shenjëstrimit deri tani janë shënjestruar 97 raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, u shpreh ai.

Kryeprokurori tregoi dhe disa statistika për shumat e ngrira, të sekuestruara dhe të konfiskuara.

“Statistikat tregojnë se lidhur me këto raste është bërë dhe po bëhet një punë e jashtëzakonshme dhe në kuadër të kësaj janë ngrirë rreth 30 milionë e 336 mijë euro, janë sekuestruar rreth 41 milionë, konfiskuar rreth 5 milionë euro…”, ka thënë Isufaj. /Telegrafi/

Exit mobile version