Telegrafi

Isufaj: KPK e angazhuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale të prokurorive

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Blerim Isufaj, i shoqëruar nga drejtori i Sekretariatit, Lavdim Krasniqi, në kuadër të fillimit të vizitave nëpër të gjitha prokuroritë e Republikës së Kosovës, ka vizituar Prokurorinë Themelore të Mitrovicës dhe atë të Ferizajt, ku është takuar me Kryeprokurorin, prokurorët dhe stafin administrativ të kësaj prokurorie.

Kryesuesi Isufaj, gjatë këtyre vizitave, është njoftuar me punët që janë duke i bërë këto prokurori, me sfidat që po ballafaqohen dhe kushtet e përgjithshme për punë të këtyre prokurorive.

Po ashtu, kryesuesi Isufaj ka shikuar nga afër nevojat që i kanë departamentet e këtyre dy prokurorive.

Kryesuesi i KPK-së ka thënë se Këshilli Prokurorial është duke punuar vazhdimisht në sigurimin e kushteve sa më të mira për punë dhe në shtimin e kapaciteteve njerëzore. Ai tha se rekrutimi i 25 prokurorëve të rinj të bërë vitin e kaluar dhe shpallja e konkursit për zgjedhjen edhe të 18 prokurorëve, do të ndikojnë në rritjen e efikasitetit të punëve nëpër prokurori.

Kryesuesi përmendi edhe angazhimin e KPK-së për rekrutimin që është duke e bërë për zgjedhjen e stafit mbështetës që do të ndihmojnë në punën e prokurorëve.

Kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj, do të vazhdojë me vizitat në të gjitha instancat e prokurorive të Republikës së Kosovës.