Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka pritur sot në takim shefin e EULEX-it, Lars–Gunnar Wigemark, ndërsa është diskutuar për avancimin e bashkëpunimit dhe përpjekjeve të përbashkëta në funksion të forcimit të sundimi të ligjit në Republikën e Kosovës.
Kryeprokurori Isufaj, fillimisht e ka uruar shefin e EULEX-it, për detyrën e re, si dhe e ka vlerësuar si të rëndësishëm rolin e këtij misioni në monitorimin e punës së institucioneve gjyqësore, me theks të veçantë të sistemit prokurorial.
Isufaj e ka njoftuar shefin e EULEX-it me punën e Prokurorisë Speciale, për sfidat dhe objektivat e këtij institucioni që kanë për qëllim fuqizimin e sistemit prokurorial dhe ngritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë, duke theksuar se në kuadër të saj ka nxjerr Strategjinë për Riorganizimin e kësaj prokurorie, ku ka themeluar Departamentin për Krim të Organizuar dhe krime tjera në kompetencë të PSRK-së, Departamentin për Terrorizëm, Departamentin për Korrupsion dhe Krim Financiar si dhe Departamentin për Krime të Luftës, si dhe caktimin e prokurorëve nëpër këto departamente.
Ndërkaq, shefi i EULEX-it, Lars–Gunnar Wigemark, ka shprehur gatishmërinë që brenda mandatit të cilin e ka misioni i EULEX-it, ta përkrah dhe mbështes punën e Prokurorisë Speciale në promovimin e sundimit të ligjit.
Isufaj dhe Wigemark gjatë këtij takimi e vlerësuan si të nevojshëm edhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në çështjet që kanë të bëjnë me krimet e luftës, personat e pagjetur dhe bashkëpunimin juridik ndërkombëtar. /Telegrafi/