Telegrafi

Istogu – Prishtina, finalja e Kupës së Kosovës për femra

Istogu dhe Prishtina kanë kaluar në finale të Kupës së Republikës së Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave.

Prishtina në gjysmëfinale, të premten pasdite në Istog, e mposhti Ferizajn me rezultatin 29:21.

17:13 në të mirë të Prishtinës ishte rezultati pas pjesës së parë.

Alma Nivokazi dhe Ivana Bojoviq me nga 7 gola udhëhoqën Prishtinën. Te Ferizaj u dallua Albulena Kelmendi me 11 gola.

Në anën tjetër kalimin në finale Istogu e siguroi të premten mbrëma në palestrën e tyre.

Istogu e mposhti Vushtrrinë në gjysmëfinale me rezultat 30:21.

Istogaset nisën herët shkëputjen në rezultat dhe kanë qenë vazhdimisht në avantazh. Pjesa e parë përfundoi 12:9 për Istogun.

Vushtrriaset nuk janë dorëzuar deri në fund, por këtë herë hendbollistet e Istogut kanë shfaqur më shumë.

Esma Muratoviq shënoi 11 gola, ndërsa kapitenia Albina Rugova shtoi 5 gola për Istogun. Lorena Matarova ishte më efikasja te Vushtrria me 6 gola kurse kapitenia Shqipe Tahiri i kishte 5 gola.

Të shtunën Istogu në finale takohet me Prishtinën. /Telegrafi/