Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në fshatin Gurrakoc të Istogut, ku kanë qenë të përfshirë tre persona të moshës së mitur.
Policia njofton se mëngjesin e së martës kanë pranuar një informacion ku dyshohet se dy të mitur e kanë zhveshur dhe e kanë fotografuar një të mitur tjetër.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, tha për Telegrafin se të dyshuarit janë intervistuar në praninë e avokatëve, prindërve dhe punëtorëve socialë.
Ai tutje bëri të ditur se me vendim të prokurorit, rasti është iniciuar si “ngacmim”.
“Më 15 nëntor rreth orës 8:30 e kemi pranuar një informacion ku dyshohet se dy të mitur e kanë zhveshur dhe e kanë fotografuar një të mitur tjetër. Rasti ka ndodhur në fshatin Gurrakoc të Istogut”, tha Rugova.
“Ata janë intervistuar në praninë e avokatëve, prindërve dhe punëtorëve socialë. Sipas deklarimeve të të dyshuarve rasti ka ndodhur më 11 nëntor. Rasti është inciuar si ngacmim, derisa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, shtoi ai. /Telegrafi/