Telegrafi

Ismet Munishi e nis me fitore aventurën te Gjilani, mposht Trepçën ‘89

(Foto: SC Gjilani)

Gjilani ka fituar me rezultat 2-1 në shtëpi ndaj Trepçës ’89 në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të në Superligën e Kosovës.

Pas gjashtë ndeshjeve, Gjilani i është kthyer fitores në kampionat duke bërë që trajneri i ri Ismet Munishi ta nis aventurën e tij me tri pikë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët përveç rasteve të krijuara arritën të shënojnë edhe një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e tretë dhe ishte Gerhard Progni, i cili shënoi një supergol nga goditja e dënimit për 1-0.

Në pjesën e dytë, përsëri vendasit ishin më kërkues, duke krijuar më shumë dhe duke shënuar të parët, por golin e gjeten edhe mysafirët.

Gjilani arriti të shënojë në minutën e 50-të me anë të Prognit për 2-0, ndërsa 89-shi shënoi me anë të Gustavos (85’) për 2-1 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Gjilani e sheh veten në pozitën e katërt me 36 pikë, ndërsa Trepça ’89 zë vendin e pestë me 32 pikë.

Në ndeshjen e radhës, gjilanasit udhëtojnë te Prishtina, teksa mitrovicasit e presin Ballkanin. /Telegrafi/