Trajneri i Prishtinës, Ismet Munishi ka thënë se ndihet i kënaqur me lojën dhe angazhimin e ekipit të tij, por jo edhe gjykimin.
Prishtina humbi tri pikë nga duart, pasi pranoi gol në minutën e tetë shtesë dhe në fund ndeshja u mbyll me barazim 2-2.
Ky barazim nuk i pëlqeu aspak trajnerit të Prishtinës, Ismet Munishi, i cili ka bërë vërejtje të mëdha për referimin.
“Kampionati jonë është bërë kualitativ. Ka skuadra kualitative, luajnë futboll mirë. Duhet të marrim masa taktike. Me qëllim e kam tërhequr ekipin në pjesën e parë. Në pjesën e dytë arritëm t’i shënojmë dy gola. Jam i kënaqur me angazhimin”, ka thënë fillimisht Munishi pas ndeshjes.
Trajneri i Prishtinës tutje foli edhe për referimin, i cili nuk po i pëlqen aspak sidomos në raport me ekipin e tij.
“Kjo u bë e tepërt, u bë e tepërt kjo punë. Në Ferizaj na prishet VAR-i, në Klinë na vjen goli prej aeroplani. Me Dritën na bëhet penallti. E sata lojë që nuk ka kriter për ne”.
“Bëj apel të mos na dëmtojnë. Po derdhim djersë, mund, dhe bëj apel të mos na dëmtojnë. Nuk janë këto rastësi. Kjo gabim, ajo gabim. Kampionati po vazhdon, pikët po shkojnë”.
“Jemi në tranzicion, kemi lojtarë shumë të talentuar. Kisha pas dëshirë të na lënë të qetë të bëjmë punën tonë”, përfundoi trajneri i Prishtinës. /Telegrafi/