Telegrafi

Ismet Kryeziu: Anglezja e dhunuar në Prizren, sot është peshë në ndërgjegjen tonë

Përdhunimi i një turisteje angleze në Prizren para pak ditësh, kur ajo po shkonte te Kalaja ka indinjuar edhe shoqërinë civile.

Shefi ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, përmes një postimi në Facebook ka thënë se anglezja e dhunuar, është peshë në ndërgjegjen tonë.

Ai ka bërë një pyetje ironike, duke u drejtuar “burrave të Prizrenit” se si po ndihen pas këtij akti të turpshëm që i ndodhi një vizitoreje të Prizrenit.

“Si po ndiheni ju burrat e Prizrenit, që e dhunuat një vizitore që ka ardhur ta vizitojë qytetin tonë!?”.

Ai këtë pyetje e bëri për shkak siç thotë ai se “një numër jo i vogël, i burrave të Prizrenit pat reaguar ndaj protestës kundër ngacmimeve seksuale, të organizuar para disa ditësh, nga vajzat dhe gratë e FEMaktiv”.

Kryeziu i cili edhe vet është nga Prizreni ka akuzuar “burrat e Prizrenit” se kanë arsyetuar njoftimet për ngacmime duke fajësuar femrat për veshjet e tyre.

“U munduat ta arsyetoni dhunën dhe ngacmimet seksuale, duke i fajësuar gratë për veshjet e tyre, duke e quajtur përqindjen e ngacmimeve seksuale shpifje etj. Në vend se ta bënit të kundërtën, të kërkonit dhe të krijonit siguri në hapësirat publike, ju u bëtë mbështetës të dhunimeve dhe ngacmimeve seksuale!”.

“Anglezja e dhunuar, sot është peshë në ndërgjegjen tonë, e dhunuesi është produkt i yni!”, ka përfunduar shënimin e tij shefi ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu./Telegrafi/