Telegrafi

Ismajl Kurteshi tregon çka po ndodh në Vetëvendosje (Video)

Është Sekretar Organizativ në Vetëvendosje, por nuk komenton deklaratat e shefit të tij të partisë, Visar Ymerit.

Ismajl Kurteshi, që zuri vendin e Dardan Molliqajt në Vetëvendosje, nuk flet për kolegët e tij që kanë ofruar dorëheqjet.

Ai problemet aktuale të VV-së i ka quajtur probleme njerëzore pa dhënë shpjegim të qartë se si do të tejkalohen ato.

“Angazhimi imë dhe i shumë aktivistëve të Vetëvendosjes është që të t’i tejkalojmë të gjitha këto probleme që ekzistojnë që janë të natyrës njerëzore dhe ato do të tejkalohen me vullnet të mirë, pastaj edhe përmes organeve të LVV që janë të zgjedhura në mënyrë demokratike edhe dokumenteve me të cilat vepron VV”, ka thënë shkurt Kurteshi për Tribuna Channel.

Për problemet në VV foli edhe Arben Gecaj, ish-udhëheqës i fraksionit +, grup ky që u larguan si të pakënaqur nga Vetëvendosja kohë më parë.

Ai thotë se pakënaqësitë të cilat i ka shfaqur në publik deputetja Aida Dërguti, janë arsyeja që ata janë larguar si grup.

Në anën tjetër edhe Rron Gjinovci, si ish kryetar i VV-së në qendrën e studentëve, tha se në Lëvizje është proklamuar gjithnjë barazia, drejtësia, demokracia, por gjithnjë ka ndodhur e kundërta e saj.

Ndërsa analisti Imer Mushkolaj, thotë se sa më e madhe partia, natyrisht se edhe mospajtimet sa vijnë e shtohen.

Të kontaktuar nga Tribuna Channel dy deputetet e këtij subjekti politik Shqipe Pantina dhe Albulena Haxhiu nuk kanë dashur të flasin.

Haxhiu vetëm ka pranuar se ka ofruar dorëheqjen nga ky kryesia e partisë.

Zhurma në VV filloi pas publikimit të disa mesazheve brenda anëtarëve të këtij subjekti, e më pas etiketimeve dhe ofendimeve që anëtarët e këtij subjekti i bën njëri – tjetrit. /Tribuna/