Site icon Telegrafi

Ismaili: Shpresoj që Gjykata Kushtetuese të marrë vendim shpejt dhe në favor të mjekëve

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka reaguar pasi që Avokati i Popullit ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për paga.

Ismaili ka thënë se është tejet i zhgënjyer me zvarritjen e procesit të pagave për profesionistët shëndetësore, të cilët siç ka shkruar ai prej këtij muaji është dashur  t’i marrin me rritje, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se pas një angazhimi të veçantë dhe një pune të gjatë, bashkë me mjekët dhe infermierët kanë bërë të pamundurën për të siguruar paga të dinjitetshme për profesionistët shëndetësorë.

Ismaili ka thënë se shpreson që Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim shpejt dhe në favor të mjekëve, të cilët siç ka thënë ai po mundohemi t’i mbajmë në Kosovë.

“Ashtu si në ditën e parë, edhe sot jap mbështetjen time të plotë për këtë ligj. Çdo zvarritje është dëshpëruese. Punëtorët shëndetësorë kanë pritur gjatë dhe vendimi duhet të vijë sa më parë”, vijon shkrimi i tij.

Lexo po ashtu Avokati i Popullit e dërgon në Kushtetuese Ligjin për Paga

Ndryshe, gjatë ditës së sotme Avokati i Popullit, në pajtim me autorizimet e tij kushtetuese dhe ligjore, e ka dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese Ligjin nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.

Avokati i Popullit konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Shtojca një (1) e këtij ligji nuk kanë arritur ta bartnin frymën kushtetuese në kuptimin e ndarjes së pushteteve, të barazisë para ligjit dhe as garantimin e së drejtës pronësore. Për më shumë, Avokati i Popullit konsideron se ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe para-shikueshmërisë së tij./Telegrafi/

Exit mobile version