Telegrafi

Ismaili i përgjigjet LDK-së: Ne po e ndreqim atë që shkatërruat ju

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i është kundërpërgjigjur Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke thënë se viti 2018 ka qenë viti më i mirë që ka pasur sektori shëndetësor në vend.

Madje, ministri Ismaili ka thënë se është LDK-ja ajo e cila e ka shkatërruar sektorin e shëndetësisë, të cilin , tash, me shumë mund, po e ndreq ai.

“LDK, e cila ka shkatërruar sistemin shëndetësor për 10 vjet me radhë dhe e ka varfëruar qytetarin, sot flet për kolaps në këtë sektor. Është e vërtetë se ka një kolaps. Që kur kemi marrë ne detyrën, ka ndodhur një kolaps i së keqes – të cilën e ka lënë trashëgimi kjo parti që mbi shëndetësinë kishte një lloj monopoli politik”, ka shkruar ministri Ismaili.

Lexo po ashtu LDK: Viti 2018, vit i dështimit në shëndetësi dhe pa reformë substanciale

Më tej, ai ka thënë se lajmeve të mira do të duhej tu gëzohej kjo parti.

“Ndaljes së korrupsionit në blerjen e barnave prej 6 milionë euro, rritjes së pagave për profesionistët shëndetësorë dhe shërbimit 24 orësh për kujdesin e zemrës dhe stentimin, si vetëm një pjesë e vitit më të suksesshëm që ka pasur shëndetësia pas luftës, do të duhej t’u gëzohej edhe LDK-ja”, ka shtuar ai.

Në fund, ministri Ismaili, i ka bërë thirrje kësaj partie që të mos pengoj reformat të cilat po ndodhin.

“Fakti që janë kryer më shumë punë brenda vetëm një viti sesa gjatë tri mandateve të LDK-së, duhet të jetë pikëlluese për ta, por unë i ftoj që të jenë përkrahës, e jo pengues, të reformave në shëndetësi, prej të cilave përfitojnë qytetarët tanë, pa dallime partiake”, ka përfunduar ai.