Roland Qafoku
“Nëse doni që Shqipëria të bjerë në qetësi duhet të vriten tre persona: Ismail Qemal Vlora, Esad Pashë Toptani dhe unë”.
Në një ditë prilli të vitit 1914, Preng Bibë Doda iu drejtua princ Wiedit me këto fjalë teksa bisedonin në Durrës se si duhet të bëhej shteti shqiptar.
Më 24 janar 1919 u vra në Perugia të Italisë, Ismail Qemali.
Më 22 mars 1919 u vra duke shkruar në Lezhë, vetë Preng Bibë Doda .
Më 13 qershor 1920 u vra në Paris, Esad Pasha.
A ishte profeci apo zëvendëskryeministri Doda dinte shumë për kurthet, intrigat, stilin oriental të të funksionarit të shqiptarëve, këtë nuk di ta them.
Por, e sakta është se ajo që ai i tha princit gjerman rezultoi e vërtetë. Shumë pak, për të mos thënë aspak, është folur për vdekjen e njeriut që themeloi shtetin shqiptar. Zyrtarisht është shkruar se ai vdiq nga hemorragjia cerebrale. Por, nga investigimi që unë kam bërë për shumë vite më rezulton se ai është vrarë.
Më saktë akoma është helmuar. Në librin tim “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar”, vdekjen e Ismail Qemalit e kam cilësuar vrasje të pastër. Aty kam publikuar të gjitha faktet, dokumentet autentikë dhe dëshmitë që e vërtetojnë plotësisht këtë. Dokumentet më kokëfortë janë ato që janë siguruar në arkivin e spitalit të Peruggias. Nuk gëzoj respekt për ata studiues mediokër që e cilësojnë këtë si një çështje të mbyllur. Unë nuk kam dyshime, por jam i bindur që Ismail Qemalin e kanë vrarë.
Por, ky lloj debate meriton vetëm pak kohë. Ajo që personalisht mendoj është që shteti shqiptar duhet të ndërmarrë një nismë për të hetuar një nga vrasjet më të mistershme.
Teknologjia e sotme bën të mundur të gjendet shkaku i vdekjes nëse Ismail beu vdiq natyralisht apo u helmua.
Mjafton zhvarrimi i eshtrave dhe kryerja e analizave. Do ishte në nderin e këtij shteti që të zhvarroste pas afro një shekulli një të vërtetë që ka të bëjë me njeriu që themeloi këtë shtet.
Përulje me respekt ndaj kryeveprës që bëri beu i Vlorajve! Na la një shtet.