Shqipëria nis sot (e hënë) misionin e Ligës së Kombeve me përballjen në udhëtim ndaj Islandës që do të luhet në Reikjavik në orën 20:45.
Ndërsa na ndajnë edhe disa orë nga kjo përballje, që deri diku shihet më e vështira për Shqipërinë, le të kthehemi njëherë pas për të parë bilancin e përballjeve mes këtyre dy skuadrave.
Islanda dhe Shqipëria janë ndeshur në total shtatë herë me njëra-tjetrën: dy herë në kualifikueset e Botërorit, katër herë në kualifikueset e Evropianit dhe një ndeshje miqësore. Në këto ndeshje tri janë fituar nga kuqezinjtë, ndërsa në katër përballjet e tjera kanë qenë islandezët ata që kanë triumfuar – shkruan SuperSport.
Islandë-Shqipëri janë takuar për herë të parë në kualifikueset e Evropianit 1990-1991, me një ndeshje të luajtur në transfertë që u mbyll me rezultatin 2-0 të vendasve dhe një takim të luajtur në vendin tonë që përfundoi me fitoren e kuqezinjve 1-0.
Më pas këto dy përfaqësuese do të ritakoheshin në miqësoren e vitit 2004 që u luajt në Shqipëri dhe u mbyll me rezultatin 2-1.
Ndeshjet e radhës mes Islandës dhe Shqipërisë do të ishin në kualifikueset e Kupës së Botës në 2012-2013, me të dyja ndeshjet si atë që u luajt në vendin tonë dhe atë në udhëtim që u mbyllën me rezultatin 2-1 për islandezët.
Ndërsa përballjet e fundit për këto dy skuadra datojnë në kualifikueset e Evropianit në 2019-2020, me takimin e parë që u mbyll me rezultatin 1-0 për Islandën, ndërsa ndeshjen e dytë e fitoi Shqipëria 4-2.
Referuar statistikave Islanda ka një fitore më shumë se “kuqezinjtë” dhe në një situatë kur përfaqësuesja e tyre nuk ndodhet në momentin më të mirë të mundshëm, Shqipëria shihet më e favorizuar për të dalë me fitore mbrëmjen e sotme, megjithatë në futboll asnjëherë nuk i dihet.