Telegrafi

ISIS merr përgjegjësinë për sulmin ndaj koptëve në Egjipt

Grupi xhihadist Shteti Islam ka marrë të shtunën përgjegjësinë për sulmin e djeshëm në Egjipt ndaj koptëve të krishterë, transmeton agjencia Amak, e afërt me Shtetin Islam.

“Njësia për siguri e Shtetit Islam kreu dje sulm mbi autobusin me koptë në Minja”, njoftoi Shteti Islam.

Bilanci i fundit i viktimave është 29 të vdekur, është thënë nga kabineti i kryeministrit të Egjiptit Sherif Ismail.

Ministria e Shëndetësisë dje raportoi se në mesin e viktimave është edhe një numër i madh fëmijësh, transmeton KosovaPress.

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se sulmues të armatosur dhe të maskuar nga tri automjete sulmuan autobusin, i cili po barte udhëtarët deri te manastiri Samueli i Shenjtë në provincën Minja, rreth 200 kilometra në jug të Kajros dhe më pas kanë ikur.

Koptët janë bashkësi shumë e rëndësishme e krishterë dhe konsiderohen ndër bashkësitë më të vjetra në Lindjen e Afërt që përbëjnë rreth 10 për qind të popullsisë egjiptiane.