Baletin nuk e ndien thjesht si profesion, por stil jete, nëse shohim foto në plazh të Isida Mollaymerit.
Ajo s’i shijon dot pushimet buzë detit apo pranë pishinës pa një demonstrim kërcimi me kolegët e saj. E preferuara e publikut në spektaklin e VIP-ave “Dancing with the Stars”, rrëfen për “Panoramën” pasionin për të bërë show mes miqsh, dashurinë dhe lulet që merr shpesh dhuratë…
Aq shumë foto poston në rrjetet sociale gjatë verës, sa duket sikur i kalon gjithë muajt e verës në plazh. Kaq gjatë pushon?
Sapo i kam nisur pushimet këtë verë, por deri tani kam bërë pushime vetëm me shoqërinë, herë në det e herë në pishina. Në fakt, unë gjithmonë bëj tre lloj pushimesh; me familjen gjithmonë, te motra në Itali, pushime ditore ose fundjavave me shoqërinë, dhe ato personalet, që janë shumë larg punës e jetës së përditshme të Tiranës, apo vendeve që unë frekuentoj gjatë dimrit.
Një balerinë si ti që luan me ajrin, sa e tërheq deti?
Oohhh shumë, shumë! Unë e dua shumë detin, dhe më shumë atë me rërë.
E konsumon alkoolin gjatë verës, dhe çfarë mund të kategorizoje si prishje të regjimit tënd personal?
LEXO EDHE
Ja kë nuk dëshiron ta shoh me sy Dhurata Dora (VIDEO)
Alkool kam shumë, po shumë kohë që nuk konsumoj. Prishje e regjimit për Isidën është gjumi tani në verë, pasi nuk është se fle shumë. Është dhe ushqimi pa hesap, por falënderoj Zotin që ma ka dhënë këtë luks të ushqehem dhe të mos shëndoshem.
Realizon shpesh numra baleti me bikini. Është e rrezikshme të performosh në ujë dhe në publik?
(Qesh) Unë e dua baletin për një mijë e një arsye. Njëra nga këto është fakti që kudo që jam, baleti ose një nga lëvizjet e baletit e bën më të bukur momentin që jetoj, apo foton që bëj. Ose e ndërthur me notin, ose nuk e lë trupin asnjëherë pasiv. Është vështirë t’i realizosh lëvizjet në ujë, po ato që mundem i bëj.
Një balerinë mund të lakmohet shumë nga gjinia tjetër, ti je e plotësuar në dashuri?
Unë jam e dashuruar që në momentin kur kam ardhur në jetë. Jam e dashuruar me gjithçka që më rrethon. Dua gjithçka dhe këdo që është pjese e familjes sime, e shoqërisë sime dhe e jetës sime personale. Unë e them gjithmonë që dashuria është çelësi i çdo motivi lumturie, suksesi apo arritjeje të njeriut në jetën e tij.
Në rrjetet sociale mban rekord me foto, ndërsa merr lule dhuratë. Kush është dhuruesi?
Po, unë vdes për lule dhe marr shumë shpesh. Lulet e mia e kanë emrin dashuria më e madhe e më e pastër e jetës sime.