Site icon Telegrafi

Ishte i zhdukur për gjashtë vjet, adoleshenti britanik i cili u gjet së fundmi në Francë kthehet në Britani

Adoleshenti britanik Alex Batty i cili u gjet në Francë pasi ishte zhdukur për gjashtë vjet, është kthyer në Britani të Madhe, ka thënë Policia e Mançesterit.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Alex u zhduk në vitin 2017 gjatë pushimeve në Spanjë me nënën dhe gjyshin e tij.

Nëna e tij nuk ka përkujdesje prindërore për 17-vjeçarin dhe për momentin nuk dihet vendndodhja e saj aktuale.

Policia e Mançesterit po përgatitet të mbajë një konferencë për shtyp në selinë e forcës.

Alex u gjet të mërkurën nga një person i cili e vuri re në një rrugë pranë qytetit Toulouse.

Agjencia e lajmeve AFP raportoi më parë se oficerët e policisë britanike do ta shoqëronin atë në një fluturim nga Franca, duke cituar një prokuror francez.

Adoleshenti besohet se ka bërë një jetesë nomade në disa komunitete me nënën dhe gjyshin e tij gjatë viteve të fundit.

Zyrtarët francezë thanë se ai vendosi të largohej kur nëna e tij donte të shkonte në Finlandë.

Alex besohet të ketë ecur nëpër terrenin malor të Francës jugore për katër ditë përpara se të gjendej nga një shofer transporti në mes të natës. /Telegrafi/

Exit mobile version