Në një darkë të organizuar për të nominuarit, këngëtarja Rovena ndau një rrëfim të sinqertë dhe prekës që ndërlidhet me këngën e saj të njohur “Burrë të martuar”.
Gjatë darkës, ajo zbuloi se teksti i këngës është bazuar në një histori të vërtetë nga jeta e saj, duke prekur një temë të ndjeshme dhe emocionale.
“Kënga ‘Burrë të martuar’ e ka një histori të ngjashme që më ka ndodhur mua vite përpara dhe këtë histori ia kam treguar autorit të tekstit të këngës, dhe ai e ka shkruar këngën,” shpjegoi Rovena. Ajo shtoi se në atë kohë nuk ishte e vetëdijshme që personi me të cilin ishte e lidhur ishte i martuar.
Siç rrëfeu ajo, momenti kur zbuloi të vërtetën ishte tepër i vështirë. “Nuk e dija që është i martuar, si e kam kuptuar e kam lënë. Ka qenë me fëmijë dhe më ka mashtruar – ka vite shumë më përpara dhe jam lënduar shumë,” tha ajo.
Pavarësisht dhimbjes së përjetuar, Rovena theksoi se kurrë nuk do të dëshironte të shkatërronte një familje. Ajo shtoi se në situata të tilla, faji nuk i takon as bashkëshortes e as fëmijëve të një burri që mashtron.
Rrëfimi i Rovenës pasqyron një anë të sinqertë dhe të guximshme të saj, duke ndihmuar publikun të kuptojë më thellë emocionet që fshihen pas këngëve që ajo interpreton. /Telegrafi/