Nënkoloneli i Policisë në pension, Refki Morina, ka vlerësuar ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj 45 personave të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë individuale për secilin të akuzuar.
Sipas tij, prokuroria ka bërë një punë voluminoze duke dokumentuar veprimet e secilit të akuzuar, përfshirë përdorimin e armëve dhe pozicionet që ata kanë mbajtur gjatë kryerjes së sulmit.
“Kjo aktakuzë kërkon përgjegjësinë e secilit person veç e veç dhe për këtë është dashur kohë për të mbledhur të gjitha faktet dhe provat, përfshirë edhe ato që janë dërguar jashtë vendit për verifikim,” tha Morina në RTV Dukagjini.
Ai shtoi se, edhe pse hetimet kanë marrë kohë, puna është kryer brenda afateve kohore të lejuara nga ligji.
Nga ana tjetër juristi Shkëlzen Sopjani, ish-inspektor në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), bëri thirrje për kujdes në veprimet që ndërmerren në veri të Kosovës.
Ai vlerësoi se disa nga operacionet që po zhvillohen aktualisht kanë filluar të marrin një ngjyrë politike dhe mund të rrezikojnë durimin e partnerëve ndërkombëtarë.
“Kemi reagime dhe kritika të hapura nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, ndaj veprimeve të fundit në Veri. Është e domosdoshme që të jemi më të kujdesshëm dhe të koordinohemi më mirë me aleatët tanë para se të ndërmarrim veprime,” theksoi Sopjani.
Ai shtoi se veprimet e mëparshme të institucioneve të Kosovës në Veri ishin të drejta dhe të nevojshme, por tashmë disa nga këto veprime po perceptohen si të motivuara politikisht dhe mund të dëmtojnë imazhin e Kosovës në sytë e komunitetit ndërkombëtar./Telegrafi/