Gjatë ditës së sotme (e diel) në të gjitha komunat e Kosovës janë mbajtur Zgjedhjet Lokale 2017.
Qytetarë të shumtë kanë dalë sot në qendra të votimit për të votuar zgjedhjen e tyre për Kuvendin Komunal të vendit ku ata jetojnë.
Ndërkohë, votimin e kanë përfunduar edhe shumë prej figurave të njohura publike nga fusha e politikës.
Shumë prej tyre u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin dhe ta kryejnë obligimin e tyre qytetar, komform rregullave dhe ligjeve në fuqi.
Kryeministri, përfaqësues të subjekteve politike, deputetë dhe vetë kandidatët për kryetarë komunash u panë sot teksa kryenin obligimin e tyre qytetarë.
Telegrafi ka përcjell nga afër momentin kur shumë prej tyre votuan, gjersa për këtë ditë ata kishin zgjedhur të duke bukur dhe me stil, të shoqëruar shumica nga bashkëshortet e tyre.
Në vazhdim ju ftojmë të njiheni me dukjen elegante të politikanëve sot në qendrat e ndryshme të votimit.
Ramush Haradinaj dhe Anita Haradinaj
Çifti kryeministror kryen sot obligimin e tyre qytetar në një nga qendrat e votimit në Prishtinë. Ramush Haradinaj kishte zgjedhur një kostum të zi dhe klasik, shoqëruar me këmishë të bardhë dhe kollare blu të errët. Dyshja votuan në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë.
Ndërkohë, bashkëshortja e kryeministrit aktual, Anita Haradinaj, ishte ajo e cila rrëmbeu më shumë vëmendjen me paraqitjen e saj. Në qendrën e votimit, spikerja e lajmeve të RTK-së, u pa e veshur me një kostum të thjeshtë dhe të zi, i cili përveçse me stil, e bënte atë të dukej edhe mjaft sportive.
Hashim dhe Lumnije Thaçi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kryer sot obligmin e tij si qytetar në qendrën e votimit në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë. Ai u pa i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Lumnije Thaçi, si dhe djali i tij Endriti, i cili votoi sot për herë të parë.
Zonja e parë e vendit tërhoqi vëmendjen me dukjen e saj elegante, veshur me një fustan ngjyrë ulliri. Hashim Thaçi si gjithnjë preferoi një kostum elegant, në ngjyrën blu të errët, gjersa këtë herë vëmendja më e madhe u pasua te Endriti, i cili kishte veshur një palë xhinse blu, kombinuar shumë mirë me këmishë të bardhë dhe setër ngjyrë krem.
Isa Mustafa dhe bashkëshortja e tij, Qevserja
I pari i LDK-së, Isa Mustafa, votoi sot (e diel) në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prishtinë. Në vendvotim, ai u pa i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, e cila është amvise me profesion, dhe daljet publike i ka të rralla. Pavarësisht kësaj, çifti u panë të duken bukur dhe me stil, të veshur me kostume që përkojnë edhe me moshën e tyre.
Visar dhe Muala Ymeri
Edhe i pari i Lëvizjes “Vetëvendosje” ka kryer sot në orët e hershme obligimin e tij si qytetar. Visar Ymeri u pa i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Muala në qendrën e votimit në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë. Dyshja shiheshin të buzëqeshur, teksa eleganca nuk iu mungonte. Visari ishte veshur me një kostum blu të errët shumë të thjeshtë, ndërsa Muala dukej bukur gjithashtu në një kombinim pantallonash dhe setër në të zeza, me një këmishë të bardhë.
Kadri dhe Violeta Veseli
Kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka votuar sot së bashku me bashkëshorten e tij, Violeta Veselin, në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë. Çifti dukeshin shumë elegantë në ditën e Zgjedhjeve Lokale, teksa i vetmi moment i ndarjes ishte ai i procesit të votimit.
Violeta është ajo, e cila jo pak herë ka rrëmbyer vëmendjen e mediave. Veshur me një fustan ngjyrë blu të shkurtër, dhe me flokë të lëshuara kaçurrele pas supeve të saj, ajo dukej perfekte. Jo më pak vezullues dukej edhe bashkëshorti i saj, Kadri Veseli, i cili ishte kombinuar mjaft mirë me të shoqen, duke veshur kostum me ngjyrën e njëjtë të fustanit të saj. Violeta ishte veshur nga Blerina Kllokoqi-Rugova.
Shpend Ahmeti dhe Ardiana Gjinolli
Kryetari i katër viteve të fundit në komunën e Prishtinës, njëherësh kandidat edhe për mandatin tjetër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ka kryer sot obligimin e tij qytetar në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë. Ai në qendrën e votimit u pa i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Ardiana Gjinolli. Çifti në këtë ditë dukeshin mjaft sportivë, teksa gjatë rrugës për në qendrën e votimit, shfaqeshin mjaft të harmonizuar me njëri-tjetrin.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në krye me Valdete Dakën pritet që në orën 19:00 të kumtojnë lajmin për mbylljen e qendrave të votimit, si dhe rezultatet e para gjatë 24 orëve në vazhdim. /Telegrafi/