Site icon Telegrafi

Ishte dëshmitare e vrasjes së prindërve nga Hamasi, festoi ditëlindjen e katërt në robëri – 4 vjeçarja u lirua të dielën

Një vajzë katërvjeçare e rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor gjatë një sulmi në pjesët jugore të Izraelit, është një nga 17 pengjet e liruara nga Hamasi të dielën.

Avigail Eden ishte vetëm tre vjeçe kur Hamasi e mori atë nga shtëpia e saj. Më parë, vajza ishte dëshmitare e vrasjes së prindërve të saj, shkruan BBC.

Vogëlushja Avigail e festoi ditëlindjen e saj të katërt në robëri, dhe të afërmit e saj janë shumë të lumtur që është sërish me ta, transmeton Telegrafi.

“Kemi shpresuar dhe jemi lutur për këtë”, thanë anëtarët e familjes së saj.

Të afërmit Liz Hirsh Naftali dhe Noah Naftali thanë se nuk ka fjalë për të përshkruar lehtësimin dhe mirënjohjen që ata ndjejnë që vajza e vogël është përsëri e sigurt.

Lexo po ashtu Adoleshenti përshkroi gëzimin për lirimin nga burgu izraelit – një grua tregoi pse u burgos për tetë vjet

Ata falënderuan gjithashtu presidentin amerikan Joe Biden, qeverinë e Katarit dhe të gjithë ata që morën pjesë në negociatat për lirimin e pengjeve.

Biden tha më parë se Avigail e vogël, e cila është me origjinë izraelito-amerikane, kaloi një traumë të tmerrshme dhe “i mbijetoi të paimagjinueshmes”.

Presidenti amerikan tha se vajza e vogël tashmë do të jetë e rrethuar nga dashuria.

“Ajo është e lirë sot dhe gruaja ime, Jill, dhe unë, së bashku me shumë amerikanë, po lutemi që ajo të jetë mirë”, tha Biden.

Avigail ishte me familjen e saj në kibucin Kfar Az kur filloi sulmi më 7 tetor. Babai dhe nëna e saj u vranë në sulm, ndërsa vëllezërit dhe motrat e saj u fshehën dhe më vonë u gjetën nga ushtria.

Lexo po ashtu Gati gjysma e hebrenjve mendojnë të largohen nga Britania e Madhe

Vajza arriti të arratisej në shtëpinë e familjes Broduc në lagje, por më vonë ajo dhe fqinjët u rrëmbyen nga anëtarët e Hamasit.

Dje është liruar edhe një pjesë e familjes Broduc. Mes tyre janë Oria 4-vjeçare, vëllai i saj tetë-vjeçar Juvali dhe motra e tyre 10-vjeçare Ofri. Hamasi liroi edhe nënën e tyre Hagarin (40).

Ndër pengjet e tjera të liruar janë Chen Almog-Goldstein (48) dhe fëmijët e saj Tal (8), Gal (11) dhe Agam (17), të cilët u rrëmbyen nga shtëpia e tyre në Kfar Az. Burri i Chen, Nadav, dhe vajza e tyre 20-vjeçare, Jam, u vranë nga Hamasi. /Telegrafi/

 

Exit mobile version