Ish-zyrtarja shqiptare Alda Klosi e arrestuar dy javë më parë për pastrim parash, deklarim të rremë e fshehje të të ardhurave, i është drejtuar gjykatës me një kërkesë ku kërkon lirimin e saj.
Nëpërmjet avokatit mbrojtës, ish-zyrtarja i është drejtuar Apelit për masë më të butë sigurie.
Klosi kërkon lirimin nga qelia duke kundërshtuar vendimin e shkallës së parë që e la në burg.
Në argumentimin e kërkesës së saj ajo thotë se gjendja e saj shëndetësore nuk është e mirë dhe gjithashtu pretendon se nuk ka kush të kujdeset për nënën e saj të moshuar.
Kërkesa për liri do depozitohet në gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm më pas gjykata do caktoj dhe datën për shqyrtimin e kësaj kërkese.
Arrestimi i Alda Klosit erdhi pas dëshmisë së Sanitares Rozeta Dobi e cila më herët ishte arrestuar me akuzën e vjedhjes së 120 mijë eurove nga shtëpia e zyrtares. Një kontroll i dytë i banesës së Rozeta Dobit dhe të birit Havier Dobi zbuloi dhe 405 mijë euro të tjera të cilat mbetën pa zot.
Një ditë më parë, ish-zyrtares iu sekuestrua një apartament dhe një garazh.
Thellimi i hetimeve nga policia dhe prokuroria e kryeqytetit si edhe pyetja për disa orë e sanitares Rozeta dobi zbuloi se gjithçka ka qenë inskenim dhe paratë e gjetura në banesë nuk ishin vjedhur por ish-zyrtarja e lartë ia kishte dhënë për t’i fshehur. /Telegrafi/