Site icon Telegrafi

Ish-zyrtari i AKI-së deklarohet i pafajshëm për korrupsion dhe vepra tjera penale

Ish-zyrtari i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Muhamed Krasniqi u deklarua i pafajshëm për korrupsion dhe vepra tjera penale.

Një deklarim të tillë, i akuzuari Krasniqi e bërë të enjten, në seancën fillestare pas leximit të aktakuzës nga prokurori Zejnullah Gashi.

Krasniqi, po akuzohet për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “keqpërdorim i informatës zyrtare”, “hyrje në sistemet kompjuterike”, “zbulim i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara” dhe “fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara”.

Ai ka mohuar fajësinë për të gjitha veprat penale që i vihen në barrë me aktin akuzues.

“Jam i pafajshëm”, ka thënë i akuzuari Krasniqi.

Tutje, prokurori Gashi ka propozuar masën e vazhdimit të paraburgimit për të akuzuarin Krasniqi, me arsyetimin e dhënë sikurse në kërkesën për vazhdimin e paraburgimit të 13 janarit 2022.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Fanol Krasniqi ka thënë se ky propozim në këtë fate është jo ligjor dhe se sipas tij në aktakuzë nuk është kërkuar që edhe më tej Muhamed Krasniqi të qëndroj në masë të paraburgimit.

Avokati Krasniqi ka thënë se nuk ekzistojnë më shkaqet për  vazhdim të masës së paraburgimit, duke propozuar që kjo masë të zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak.

“Sa i përket kushteve që prokurori mbetet edhe më tej, ku ato kushte kanë qëndruar në fazë të hetimit, tani më konsideroj se me ngritjen e aktakuzës, kushtet ligjore që janë ndikimi në dëshmitarë, prova, përsëritja e veprës penale, konsideroj se më nuk ekzistojnë” tha avokati Krasniqi.

Po ashtu, ai tha se pesë dispozitivat janë me një përmbajtje dhe se sipas tij, në asnjë dispozitiv nuk dihet çka ka kërkuar, nga kush, apo kush është palë e dëmtuar.

Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi deklaroi se lidhur me masën e paraburgimit gjykata do të vendos me aktvendim të posaçëm.

Sipas gjykatësit Foniqi, para shqyrtimit të dytë, i akuzuari dhe mbrojtësi kanë drejtë të paraqesin kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave dhe se shqyrtimi i dytë është caktuar për 19 prill 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 23 shkurt 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Muhamed Krasniqi, për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “keqpërdorim i informatës zyrtare”, “hyrje në sistemet kompjuterike”, “zbulim i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara” dhe “fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara”.

Sipas pikës së parë të aktit akuzues, i akuzuari Krasniqi, me 17 shtator 2020, 25 gusht 2020 dhe 11 mars 2021, në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe në kundërshtim me ligjin, si person zyrtar në cilësinë e zyrtarit të AKI-së, akuzohet se ka tejkaluar kompetencat e tiji dhe nuk i ka përmbush detyrat e tij, ashtu që pa autorizim ka ndërhyrë në sistemin kompjuterik të AKI-së, duke instaluar në mënyrë të paautorizuar programin për monitorimin e kompjuterëve të tjerë “Net Monitor for Employees Pro”, nga i cili program janë infektuar 55 kompjuter të tjerë brenda selisë qendrore të AKI-së,  si dhe ka instaluar file-n e programit të softuerit “Veyon”, ku ka shkel të drejtat e punonjësve të tjerë, duke krijuar qasje të paautorizuar në përmbajtjen e të dhënave që zyrtarët kanë pasur në posedim, si dhe duke keqpërdorur autorizimet e veta si administrator i sistemit kompjuterik (username dhe paswordat), të cilat i ka pasur autorizim t’i përdorë për qëllime zyrtare, po ashtu ka krijuar qasje të paautorizuar në dokumentacionin e klasifikuar dhe ka mundësuar marrjen e dokumenteve dhe informacioneve nga përdoruesit e kompjuterit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me këtë, Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1, lidhur me paragrafin 3, pika 3.1. dhe 3.4. të KRPK-së.

Tutje, në pikën e dytë të aktakuzës, Krasniqi akuzohet se duke përdorur programin “Net Monitor for Employees Pro”, dhe file-n e programit të softuerit “Veyon” , të cilat janë dokumentuar që janë instaluar në kompjuterët që ai ka përdorur ne rrjetin e AKI-së, ka krijuar qasje në kompjuter të punonjësve dhe eproreve brenda rrjetit të komunikimit të AKI-së, nga i cili ka pasur qasje të sheh aktivitetin e secilit kompjuter të infektuar, marrjen e fajllave, marrjen e fjalëkalimeve, video-regjistrimin e aktivitetit të përdorueseve, po ashtu akuzohet se ka arritur të hy në fajllat e inspektorit të përgjithshëm, përgjimit te prodhuar nga AKI-JA, listën e pagave të punonjësve, dokumenteve operative tl ndryshme, dhe fotografi të paautorizuar të punonjësve.

E që me këtë, Krasniqi akuzohet për veprën penale keqpërdorimi i informatës zyrtare nga neni 416 paragrafi 1, lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Kurse, sipas pikës së tretë të aktit akuzues, Krasniqi duke keqpërdorur detyrën zyrtare ka instaluar softuerët “Net Monitor for Employees Pro”, dhe file-n e programit të softuerit “Veyon”, në rrjetin e brendshëm të komunikimit të AKI-së, përmes dy kompjuterëve të tij dhe ka krijuar qasje në 55 kompjuterë të punonjësve të tjerë përmes “Agjentëve të programit”, nga ku akuzohet se ka mundur të marr informacion duke hyrë në sistemet kompjuterike të punonjësve të AKI-së, si dhe ka pasur të instaluar softuerin “Net Monitor for Employees Pro”, në rrjetin e internetit të AKI-së, të njëjtit softuer ka të instaluar edhe në kompjuterin e tij personal.

E që me këtë, Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale hyrja në sistemet kompjuterike nga neni 327 paragrafi 1 të KPRK-së.

Po ashtu, Krasniqi, sipas pikës katër të aktit akuzues, duke pasur qasje në dok të klasifikuara të njësive të AKI-së, e të cilat janë gjetur në kompjuterin e tij në objektin e AKI-së dhe kompjuterin në shtëpinë e ti, gjurmë të fajllave të dokumenteve si: lista e pagave të punonjësve të AKI-së, gjurmë të dokumenteve të klasifikuara të njësive të AKI-së, me nivel sekret dhe tepër sekret, dokumente të inspektorit të përgjithshëm dhe të njëjta fajlla akuzohet se i ka kopjuar dhe ruajtur ato dokumente të klasifikuara, të cilat nuk është dashur të nxjerrën jashtë ambienteve të AKI-së, dhe akuzohet se iu ka dhënë informata grupit kriminal si: Agim Krasniqi, Aqif Krasniqi dhe Arif Krasniqi, që kanë qenë duke u hetuar nga policia për shkak të dyshimit për vepra penale.

Për këtë, Krasniqi akuzohet për veprën penale  – Zbulimi i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara nga neni 125 të KPRK-së, lidhur me nenin 50 paragrafi 3 të Ligjit nr.03/L-178 për klaslfiklmin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë.

Ndërsa, sipas pikës pesë të aktakuzës, Krasniqi akuzohet se duke keqpërdorur detyrën e tij zyrtare dhe duke keqpërdorë informatat që ka pasur rreth sistemit të video-monitorimit të objekteve të AKI-së, i njëjti akuzohet se është futur në sistemin e video-monitorimit e ka bërë fotografimin e paautorizuar e së paku dy zyrtareve brenda objekteve të AKI-së.

E që për këtë Krasniqi akuzohet kryer veprën penale të fotografimt dhe incizimet tjera të paautorizuara nga neni 202 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të KPRK-së.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Exit mobile version