Ylli i Barcelonës, Frenkie De Jong, është këshilluar që të largohet nga klubi gjatë vitit të ardhshëm.
De Jong më në fund ishte rikuperuar plotësisht nga një seri lëndimesh të cilat dukej se e kishin sjellë karrierën e tij me blaugranasit drejt fundit.
Ish-mesfushori i Ajaxit është rikthyer në aksion gjatë javëve të fundit, madje kishte marrë edhe ftesën nga kombëtarja e Holandës për dy ndeshjet e nëntorit në Ligën e Kombeve.
Ai luajti për herë të parë për Holandën pas 14 muajsh në mesjavë në fitoren ndaj Hungarisë, por e ardhmja e tij vazhdon të mbetet e paqartë.
Marco van Basten kishte kërkuar që të largohet vëmendja nga De Jong në mënyrë që t’i lejohet 27-vjeçarit të rikthehet në formën e tij të dikurshme.
Sidoqoftë, një tjetër legjendë holandeze ka shkuar një hap më tej, me ish-yllin e Real Madridit, Rafael Van Der Vaart, që ka thënë se ai duhet të bëjë rikthimin befasues tek Ajaxi, nëse Barcelona dështon ta shesë gjatë muajve në vazhdim.
“Ai pati një ndeshje të mirë ndaj Hungarisë, por ai mundet dhe duhet të bëjë më mirë. Ai ka arriur shumë, por tani duhet të qëndrojë i shëndetshëm”.
“Ai është një lojtar fantastik nga i cili kombëtarja e Holandës do të përfitojë shumë. Nëse do të vendosja unë, do t’i thosha shko në shtëpi (tek Ajaxi). Ai nuk ka nevojë më shumë udhëtime”, ka thënë Van Der Vaart./Telegrafi/