Telegrafi

Ish-selektori i Kosovës pret që ‘Dardanët’ të shkaktojnë befasi në Grupin B

Kosova sot ka mësuar grupin e saj në kuadër të kualifikimeve të Kupës së Botës që do të mbahet në Katar më 2022

Kombëtarja e Kosovës gjendet në Grupin B me kundërshtarë si Spanja, Suedia, Greqia dhe Gjeorgjia.

Ish-trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki në një prononcim për Reporterin ka thënë se Dardanët mund të befasojnë edhe Suedinë, dhe se kanë gjasa që të luftojnë për vend të dytë.

Lexo po ashtu Grupi i 'ferrit' dhe ai më i lehti në kualifikimet për Kampionatin Botëror - Shqipëria duhet të djersitet shumë

“Mendoj që është një grup mjaft i hapur në përjashtim të Spanjës. Jemi më të fortë se Gjeorgjia. Greqinë të paktën në lojën e fundit kemi treguar se jemi konkurrent me ta. Suedinë mund ta befasojmë dhe t’i sjellim telashe me teknikën tonë. ” ka thënë fillimisht Bunjaki.

“Unë besoj shumë se do të mund të përfundojmë në vendin e tretë, por pse jo edhe në të dytin. Është një grup i mundshëm për të përfunduar në vendin e dytë.

Bunjaki që një pjesë të bukur të jetës e ka kaluar në Suedi ka folur i emocionuar për këtë përballje.

“Ndeshja me Suedinë do të jetë shumë e veçantë. Unë e kam ëndërruar një lojë të tillë. Do të jetë një lojë shumë interesante,” shtoi Bunjaki.

Lexo po ashtu Kualifikimet për Kupën e Botës: Kosova bie në Grupin B - short aspak i lehtë për 'Dardanët'

Bunjaki me të dëgjuar lajmin se Kosova është në të njëjtin grup me Suedinë ka shikuar reagimet e mediave suedeze.

Në Suedi mediat thonë se vendi i dytë është i mundshëm në Grupin B dhe se Kosovën nuk e njohin edhe aq mirë, pavarësisht se kanë luajtur një ndeshje miqësore në janar, por të dy Kombëtaret në atë përballje kishin më shumë lojtarë nga kampionatet vendore.