Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave të Ferizajt protestuan sot para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar kompensimin e borxhit prej 25 milionë eurosh, sipas një aktvendimi të Kushtetueses, i cili në mënyrë decidive thekson se Qeveria bashkë me AKP-në si autoritet qendror duhet të shlyejnë borxhin ndaj 912 ish-punëtorëve të kësaj fabrike.
Avni Azemi, kryetar i Shoqatës sindikale të ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave, ka thënë se kërkesa e tyre është shumë e qartë dhe kanë dalë për të 133-në herë për të protestuar.
“Qëllimi i kësaj proteste, por edhe protestave të tjera që ky numër ka mbërri në 133 protesta është vetëm që të zbatohet aktgjykimi kushtetues i rastit 08.09 i 17 dhjetorit 2010-të, i cili në mënyrë decidive thekson që Qeveria bashkë me AKP-në si autoritet qendror të shlyejnë borxhin e 912 punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj. Ajo shumë e borxhit është prej 25 milionë e 649 mijë e 250 euro dhe me kamatë 3 për qind vjetore”, tha Azemi.
Ai është shprehur i zhgënjyer me padrejtësinë që është duke iu bërë ish-punëtorëve nga ana e institucioneve.
“Meqenëse Qeveria, edhe ata në të kaluarën, por edhe kjo qeveri, nuk po reflektojnë edhe pse ka pasur premtime që të reflektojnë, por deri më sot nuk kanë reflektuar lidhur me zbatimin e këtij aktgjykimi. Prandaj, ne sot kemi ardhur që t’ia bëjmë me dije qeverisë që t’i rreket këtij problemi, pasi që është e drejtë e qytetarëve që ligji me kërkesë të tyre të zbatohet. Pasi që edhe këta kur t’i marrin karriget po betohen në Kushtetutë edhe në ligj, edhe nuk ka kurrfarë efekti juridik nëse Qeveria bën vetëm zbatimin selektiv të Kushtetutës dhe të ligjeve”, tha Azemi.
Edhe Ali Shabani, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave, tha se Qeveria duhet të ekzekutojë pagesën dhe të shlyejë borxhin ndaj ish-punëtorëve.
“Kjo protestë e 133-ta duhet të jetë epilogu final i realizimit të kërkesave tona, sepse nuk ka kuptim se sa herë të bëhen zgjedhjet mblidhen punëtorët e Fabrikës së Gypave dhe premtojnë realizimin e kërkesave legjitime dhe ligjore, kushtetuese, kur vijnë në protesta prapë heshtin. Nuk i zbatojnë ato”, tha Shabani.
Prej vitit 2010-të ish-punëtoret e Fabrikës së Tubave në Ferizaj kërkojnë kompensimin e pagesave për 912 ish-punëtorë, por pavarësisht aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese deri tash atyre nuk iu është bërë asnjë pagesë. /KP /Telegrafi/