Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit ka konfirmuar se ish-prokurori Agron Matjani sot në orët e mëngjesit është gjetur i vdekur në banesën e tij.
Zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Shaban Osmanollaj tha për Telegrafin se rasti po cilësohet si vdekje e dyshimtë.
“Familja e tij ka raportuar se është gjetur i vdekur në banesën e tij në Prizren… Prokurori ka dhënë urdhër me dërgu trupin e pajetë për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, tha ai.
Në vendin e ngjarjes ka dalë forenzika dhe ekipet rajonale të hetuesisë.
Edhe Prokuroria Themelore në Prizren ka konfirmuar se sot rreth orës 9:30 personi me inicialet A.M., – ish-prokuror është gjetur i vdekur në banesën e tij në Prizren, pas raportimit nga anëtarët e familjes së tij.
“Me të marrë lajmin, prokurorja kujdestare së bashku me njësitet relevante policore, kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe rasti është iniciuar si ‘Vdekje e dyshimtë’. Me urdhër të prokurores, trupi i viktimës do të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”.
Ndryshe, për ish-prokurorin Matjani ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”. /Telegrafi/
Foto: Ilustrim