Policia e Kosovës ka konfirmuar për BBC se një ish-prift katolik britanik, është arrestuar në Pejë më 12 maj, nën dyshimin për abuzim seksual me fëmijë.
Lawrence Soper po ndiqej nën dyshimet se gjatë viteve 1991-2000, sa shërbente si prift katolik në Kishën Ealing Abbey në Londër, kishte abuzuar seksualisht me fëmijët.
Ai ishte arrestuar njëherë në vitin 2010, ishte liruar me kusht dhe nuk ishte paraqitur më kurrë në stacionin policor në vitin 2011, siç i ishte caktuar, transmeton KosovaPress.
Policia londineze kishte lëshuar një fletarrest ndërkombëtar për të në vitin 2012, shkruan BBC.
Një zyrtar i lartë i PK-së i ka thënë BBC-së në kushte anonimiteti se procesi për ekstradimin e tij është në përgatitje.
Për arrestimin e tij njoftoi edhe Policia e Kosovës përmes raportit policor, megjithëse nuk ishte i detajizuar informacioni.