Site icon Telegrafi

Ish-presidenti slloven, Kuçan: Në Bruksel e dinë se kush është autori i “non-paper” për Ballkanin

Presidenti i parë i Sllovenisë së pavarur, Milan Kuçan pohoi se nuk ka dyshime që ekziston një “non-paper” për ndryshimin e kufijve në Ballkan.

Anëtari i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës (BH), Zeljko Komsiq konfirmoi se presidenti slloven, Borut Pahor u tha tre anëtarëve të presidencës së BH-së gjatë një vizite në Sarajevë më 5 mars se ka gjithnjë e më shumë vullnet në Bashkimin Evropian që bëjnë thirrje për t’i dhënë fund shpërbërjes së Jugosllavisë . Pahor thuhet se pyeti nëse ishte e mundur një “shpërbërje paqësore” e shtetit të Bosnjës.

Ndërkohë, në mes të muajit prill, pretendimet dolën në media në lidhje me propozimin e kryeministrit slloven, Janez Jansha për të rishikuar kufijtë në Ballkanin Perëndimor, si një mënyrë për të zgjidhur problemet midis gjashtë vendeve në rajon, raporton b92.

Lexo po ashtu "Non-paper" dhe marrëveshja Kosovë-Serbi, gjithçka çfarë u tha rreth këtij dokumenti

“Unë nuk e di se çfarë e shtyu presidentin Pahor të bënte atë pyetje. Ai e mohon atë, duke thënë se qëndrimi i tij është i qartë se nuk ka diskutim për ndryshimin e kufijve. Gjithashtu, kryeministri i qeverisë sonë e mohon atë dhe padyshim se ekziston një ‘non-paper’. Doli se dihet në Bruksel se kush është autori i tij, si dhe përmbajtja, por ata nuk duan ta zbulojnë atë për shkak të efektit shkatërrues në marrëdhëniet ndërkombëtare”, thekson Kuçan.

“Non-paper” është një term i përdorur në Bashkimin Evropian për një dokument jozyrtar si një tezë për bisedat që shkëmbehen konfidencialisht midis qeverive ose institucioneve, transmeton Telegrafi.

Ky dokument shkaktoi konfuzion sepse propozon zgjerimin e Serbisë, Kroacisë dhe Shqipërisë, ndërsa boshnjakët do të mbeteshin me një pjesë më të vogël të Bosnje-Hercegovinës.

Shtrohet pyetja në çfarë mase, përveç udhëheqësve nacionalistë në Ballkan, qarqe të caktuara në BE morën pjesë gjithashtu në përgatitjen e këtij dokumenti.

“Nuk e di. Unë nuk jam më i përfshirë në ato diskutime dhe procese”, tha Kuçan, duke shtuar se është shumë e rrezikshme kur flasim për fuqitë rajonale në Ballkan.

Lexo po ashtu Cili është kuptimi i termit “non-paper” në fushën e diplomacisë, kur dhe pse përdoret?

“Presidenti i atëhershëm i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, më tha në një bisedë që, së pari, Serbia duhet të demokratizohet dhe më pas t’i bashkohet BE-në, sepse kjo do ta bënte që, si një fuqi rajonale, të merrte përgjegjësinë për paqe në Ballkan. Unë i thashë atëherë ‘Ju e dini, President, kur bëhet fjalë për forcat rajonale në Ballkan – atëherë ju jeni në prag të luftës’. Kur e shikoj sot, janë saktësisht dhjetë vjet që kur raporti im është përgatitur, problemet në Bosnjë dhe Hercegovinë kanë mbetur të njëjtat. Ato po bëhen më të mprehta, gjithnjë e më shumë po shkojnë drejt një konflikti dhe jo një zgjidhje”, tha Kuçan.

Ky i fundit shton se Sllovenia nuk mund të ketë një pozicion të ndryshëm nga ai me të cilin ajo filloi procesin e pavarësisë së saj shtetërore, se të gjitha republikat kanë të drejtën e krijimit të shteteve të tyre dhe se shpërbërja e Jugosllavisë duhet të përfundojë brenda kufijve ekzistues. “Pra, asnjë rishikim i kufijve nuk është i mundur”, tha Kuçan. /Telegrafi/

Exit mobile version