Sepp Blater ka rimarrë vëmendjen e mediave, pas skandalit që bëri vite me parë në FIFA.
Ish-presidenti i shtëpisë më të madhe të futbollit në botë është dënuar me gjashtë vite mospjesëmarrje në aktivitet në futboll, pasi që ishte shpallur fajtor për korrupsion.
Blatter është rikthyer në qendër të vëmendjes së mediave, pasi ka kërkuar nga FIFA që t’ia rikthejë një koleksion të orëve që vlejnë rreth 400 mijë euro.
Ai ishte larguar nga zyrat e shtëpisë më të madhe të futbollit në botë në vitin 2015, duke lënë pas vetes rreth 80 orë.
“Unë nuk jam më president, kjo është e qartë. Ajo çfarë kërkoj unë është që të më kthehen gjërat personale që i kam lënë në zyre, asgjë më shumë”, ka thënë Blatter.
“Për mua kjo është shumë personale, vetëm dua që ato orë t’i marr, pasi janë dhuratë nga koha kur isha president i FIFA-s”, ka shtuar më tej ai. /Telegrafi/