Ish ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari ka reaguar pas shkarkimit të bordeve nga Qeveria Hoti, e që janë emëruar në kohën e Qeverisë Kurti.
Ajo ka thënë Qeveria Hoti po punon për shtetin e kapur dhe kundër Kushtetutës e ligjit.
Hajdari në një postim në Facebook shkruan se në vazhdën e papërgjegjësive, pabesisë dhe shkeljeve ligjore, qeveria Hoti ka shkarkuar bordet e drejtorëve të katër ndërmarrjeve publike: Korporatës Energjetike të Kosovës, NPH Ibër-Lepencit, KRU Prishtinës, KRU Hidroregjioni Jugor Prizren.
Lexoni të plotë postimin e saj në Facebook:
“Në vazhdën e papërgjegjësisë, pabesisë dhe shkeljeve ligjore, qeveria Hoti paska shkarkuar bordet e drejtorëve të katër ndërmarrjeve publike: Korporata Energjetike e Kosovës, NPH Ibër-Lepenc, KRU Prishtina, KRU Hidroregjioni Jugor Prizren.
Vendimet i ka nënshkruar zëvendësja e Avdullah Hotit, por pa e bërë të qartë se po firmos në emër të tij. Kurse Qeveria, si aksionare, ka nxjerrë vendimet pa bashkëngjitur arsyetimin e shkarkimit. Pse? Sepse ligjërisht s’ka arsye për shkarkim.
Shkaqet i mësojmë nga kërkesat e vazhdueshme që ministri përgjegjës Blerim Kuçi u ka bërë bordeve: të pezullojnë konkurset për zyrtarë të lartë të ndërmarrjeve, siç janë kryeshefat dhe zyrtarët kryesorë financiarë.
Por ligji nuk i lejon aksionarit të merret me këtë çështje. Sipas nenit 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, procedura e konkursit dhe përzgjedhja e zyrtarëve të lartë të ndërmarrjes janë kompetencë ekskluzive e drejtorëve. Ndonëse aksionari mbikëqyr bordin dhe mund të komunikojë drejtpërdrejt me drejtorët, neni 7.6 LNP përcakton qartë: ‘Detyrimi për mbikëqyrje […] nuk do të ushtrohet në një mënyrë që ndërhyn, ose ka për qëllim të ndërhyjë, me veprimtarinë ose pavarësinë e Bordit të Drejtorëve ose Komisionit të Auditimit të një NP’. Vendimet e qeverisë Hoti tani shpërfaqin përpjekjet e saj për t’i kapur ndërmarrjet, duke u diktuar drejtorëve se si duhet t’i kryejnë ata detyrat e veta ligjore.
Rrethanat në ndërmarrje nuk kanë lejuar pezullimin e konkurseve. Në ushtrimin e kompetencave të tyre të ligjshme, drejtorët kanë vendosur të largojnë disa zyrtarë të lartë, të cilët kanë qenë përgjegjës për humbjet që kanë përjetuar ndërmarrjet. Pastaj kanë vlerësuar se pozitat e tyre të zbrazëta duhet t’i plotësojnë sa më parë. Ankesat dhe paditë e zyrtarëve të shkarkuar, që z. Kuçi i ka përmendur shpesh si shkas për pezullim konkursesh, janë krejt të pabaza dhe nuk duhet të ndalin punën e drejtorëve. Kurse bashkëpunimi i Qeverisë me Ambasadën Britanike, sado i mirëpritur, nuk mund t’u mohojë të drejtat palëve të treta as të zhbëjë proceset e nisura në ndërmarrje.
Rekrutimi i zyrtarëve të lartë është detyrë e drejtorëve – për më tepër, veprim i domosdoshëm për ndërmarrjet. Katër ndërmarrjet kanë nisur proceset sipas ligjit dhe me transparencë të plotë, duke u bërë thirrje shoqërisë civile, mediave dhe Ambasadës Britanike që të vëzhgojnë dhe të ndihmojnë me mjetet e tyre. Por z. Hoti dhe eprorët e tij s’mund të jenë të kënaqur me një ecuri të këtillë; ata kërkojnë me ngulm që në pozita drejtuese të emërohen njerëzit e tyre dhe që vendimmarrja t’u shërbejë zhvatësve e oligarkëve.
Katër vendimet e djeshme, ashtu si përpjekjet që u paraprinë vendimeve, paraqesin ndërhyrje të rëndë të zotërinjve Hoti e Kuçi në punën e pavarur të bordeve. Ata kanë penguar vazhdimisht drejtorët të kryejnë detyrën e tyre. Kurse tani kanë marrë vendimet tinëzare që shkelin ligjin dhe rrezikojnë të ardhmen e ndërmarrjeve.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës thotë se ndërmarrjet publike duhet të qeverisen në përputhje me interesin publik. Shteti i kapur nënkupton që vendimmarrja u shërben interesave të ngushta. Dhe kjo u vërtetua kur me Qeverinë Kurti gjetëm 17 ndërmarrje publike me humbje, buzë greminës së falimentimit dhe vetëm 3 ndërmarrje me bilanc financiar pozitiv. Kjo gjendje reale tregon se këto ndërmarrje ishin banka familjare te pushtetarëve dhe jo siç duhet të jenë shtyllë për zhvillim ekonomik të vendit.
Qeveria Hoti po punon për shtetin e kapur dhe kundër kushtetutës e ligji”. /Telegrafi/