Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka nxjerrë një dekret përmes të cilit i ka propozuar Kuvendit, Avdullah Hotin, si kandidat për kryeministër.
Referuar këtij dekreti, Hoti duhet që brenda afatit 15 ditor t’ia propozojë Kuvendit të Kosovës përbërjen e qeverisë së tij dhe të kërkojë votimin e saj.
Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar duke depozituar në Gjykatën Kushtetuese dekretin e Thaçit, të cilin e quajtën antikushtetues. Pikërisht nga vendimi që do të japë kjo gjykatë pritet të përcaktohet rrjedhja e zhvillimeve politike.
Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim dhe ish-ministër i Diasporës shprehet se kushtetuesja mund të dalë me një vendim të përkohshëm duke bllokuar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për votimin e qeverisë re, por nga ana tjetër në mungesë të një vendimi të tillë Vetëvendosja mund të mos lëshoi zyrat e qeverisë.
“Herët e tjera kur kemi pas mocion mosbesimi forcat politike nuk kanë pasur interes që të formojnë qeveri dhe ndaj kanë shkuar në zgjedhje, por në këtë rast forcat politike përveç VV-së nuk kanë interes që të shkojnë në zgjedhje. Kushtetuta ka një zbrazëti dhe që e ka shfrytëzuar z. Kurti, ka një mungesë afati kur Presidenti kërkon emrin për kryeministër. Kushtetuta nuk jep afat dhe ai e ka shfrytëzuar këtë duke mos dërguar emër”, shprehet Murati, në euronewsalbania.
Sipas tij ngjarjet e fundit kanë qenë të parashikuar dhe se gjitha ka qenë më shumë një lojë taktike e z. Kurti për të rritur mbështetjen për Lëvizjen Vetëvendosje. Shkak thotë ish-ministri është çështja e dialogut me Serbinë, ku VV nuk pranon që negociatat të udhëhiqen nga Presidenti Thaçi siç imponon SHBA.
“Kurti i provokoi rrëzimin e qeverisë mbi të gjithë për dialogun me Serbinë. Të gjithë e dinin se puna e parë do të ishte dialogu me Serbinë por të gjithë e kanë injoruar. Askush nuk e ka përmendur dialogun ose e kanë përmendur shkarazi. Kjo ishte një lëvizje taktike e z. Kurti për të rritur më tej Vetëvendosjen. Në kontekstin e dhënë ishte provokim i Kurtit pasi nuk dëshironte të bëhej pjesë e dialogut me Serbinë. SHBA mendon se dialogun duhet ta prijë z. Thaçi, gjë për të cilën Kurti nuk është dakord. Formatin e cakton SHBA, nuk e cakton qeveria”, deklaroi ish-ministri i Diasporës në Kosovë.
Sipas Muratit duke qenë se marrëveshja me Serbinë mund të shkojë shumë lart, në këto momente do të ishte e nevojshme krijimi i një qeverie t unitetit kombëtar, të drejtuar nga Albin Kurti me detyrë kryesore përfundimin e dialogut me Serbinë. “Ky është një gur i rëndë në shpinën e Kosovës, që e ka të vështirë të funksionojë si shtet pa e mbyllur këtë çështje”, shtoi ai.