Ish zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha ka reaguar pas situatës së krijuar në Ukrainë, duke thënë se invadimi i Ukrainës, një shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara nga ana e Rusisë de facto është fundi i KB në formatin e pas Luftës së Dytë Botërore.
Berisha në një postim në Facebook shkruan se Kosova, gjithë energjinë e saj politike e diplomatike duhet ta kanalizoj në anëtarësimin në NATO dhe në Bashkim Evropian.
Lexoni të plotë postimin e tij:
Invadimi i Ukrainës, një shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara nga ana e Rusisë de facto është fundi i KB në formatin e pas Luftës së Dytë Botërore.
Kjo situatë e krijuar nga Rusia dhe heshtja e Kinës, të dyja anëtare të përhershme të Këshillit me të drejtë vetoje, praktikisht e bënë të pamundur, e do të thosha unë të panevojshme përpjekjen tonë për t’u anëtarësuar në OKB.
Edhe në rrethanat e mëhershme, kam qenë i mendimit, e tash domosdoshmërish, që Kosova, gjithë energjinë e saj politike e diplomatike duhet ta kanalizoj në anëtarësimin në NATO dhe në BE.
Në të njëjtën kohë edhe shtetet evropiane duhet të ndryshojnë qëndrimin refuzues në liberalizimin e vizave si dhe të heqin pengesat e tepruara në procesin integrues për Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën e BH dhe paralelisht të qartësojnë me Serbinë se cilën rrugë do të ndjekë ajo. /Telegrafi/