Site icon Telegrafi

Ish-ministrat dhe ish-zëvendësministrat do të përfitojnë 70% të pagës 1 vit pas mandatit

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që ish-ministrat dhe zëvendësministrat të përfitojnë edhe një vit pasi u del mandati 70 për qind të pagës së tyre të fundit. Ky vendim është marrë duke shfuqizuar atë të datës 1 mars 2005 dhe të datës 17 tetor 2007, lidhur me përfitimet për ish-ministrat dhe ish-zëvendësministrat.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë gjithashtu u vendos që familjet që përfitojnë nga ndihma sociale të përfitojnë rritje të shumës mujore për 25 për qind. U vendos që kjo rritje të hyjë në fuqi që nga nëntori i këtij viti.

Vendimin e parë e arsyetoi zëvendëskryeministri Kujtim Shala, i cili deklaroi se këtë benificion do të mund ta gëzojnë ish-zëvendëskryeministrat, ish-ministrat dhe ish-zëvendësministrat, kurse ish-drejtorët e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës vetëm në rast se nuk janë përfitues të ndonjë të ardhure tjetër nga buxheti i Kosovës.

“Zëvendëskryeministrave dhe ministrave të Qeverisë të Kosovës dhe zëvendësministrave dhe Drejtorit të AKI-së u njihet e drejta e pagës pas mbarimit të mandatit të tyre si në vijim: Zëvendëskryeministrave, ministrave të Qeverisë dhe zëvendësministrave dhe drejtorit të AKI-së u njihet e drejta e pagës një vit pas mandatit të tyre, zëvendësministrave u njihet e drejta e pagës për gjashtë muaj pas mbarimit të mandatit të tyre. Paga e ish-zëvendëskryeministrave, ish-ministrave dhe ish-zëvendësministrave dhe ish-drejtorit të AKI do të jetë në vlerë në 70 për qind të pagës së plotë që kanë marrë gjatë muajit të fundit të mandatit. Të lartshënuarit e gëzojnë këtë të drejtë vetëm nëse nuk marrin të ardhura nga buxheti i Republikës së Kosovës”, tha Shala.

Ministri i Financave Avdullah Hoti pati një propozim që jo vetëm ata që marrin ndonjë pagë apo të ardhur tjetër nga buxheti të mos përfitojnë nga ky propozim, por edhe ata ish-zyrtarë të cilët marrin çfarëdo të ardhure që është e tatueshme në Kosovës.

Edhe ky propozim mori përkrahjen e kabinetit qeveritarë, duke u miratuar në tërësi si vendim.

Në këtë mbledhje të Qeverisë është marrë vendim që 26 mijë familje me 115 mijë anëtarë të përfitojnë nga ndihma sociale rritje prej 25 për qind.
Ky vendim u arsyetua nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi i cili tha se familja një anëtarëshe që deri më tani ka marrë 40 euro me këtë rritje do të marrë 50 euro, ndërsa familja 15 anëtarshe që deri më tani ka marrë 120 euro me këtë rritje do të marrë 150 euro.

Ai tha se kjo rritje ishte e nevojshme për këto familje që jetojnë në gjendje të rëndë ekonomie dhe se kjo rritje është paraparë edhe në buxhetin e vitit 2016.

“Bazuar në një analizë të lëvizjes së çmimeve të shportës së ushqimit vlerësojmë dhe propozojmë që rritja e ndihmës sociale për çdo familje të jetë 25 për qind e vlerës aktuale e ndihmës sociale e të fillojë të zbatohet nga një nëntori 2015. Me këtë propozim do të rritet vlerës nga një pikë një euro në një pikë e 1.25 euro që rezulton që familjet që përfitojnë ndihmës sociale për shembull 50- deri në 150- euro. Një anëtarësh 40 pikë 50 euro, dhe familja 15 anëtarësh me nga 120 pikë në 150 euro. Buxheti për mbulimin e kostos së rritjes së vlerës së ndihmës sociale në vlerë 25 për qind është planifikuar edhe me buxhetin e vitit 2016”, tha Abrashi. /Telegrafi/

Exit mobile version