Jadon Sancho është akuzuar se është bërë pjesë e Chelseat ‘për para’, teksa i huazuari nga Manchester United është transferuar në një ekip me ‘dy dhoma të zhveshjes’.
Sancho ndërroi lokacion nga Mançesteri në Londër në ditën e fundit të afatit kalimtar veror në një marrëveshje huazimi që përfshin edhe obligimin e blerjes verën e ardhshme për shumën e 20-25 milionë eurove, varësisht nga pozita e ‘Bluve të Londrës’ në Ligën Premier.
Pas një periudhe zhgënjyese në ‘Old Trafford’, Sancho ishte i etur që ta ‘ringjallë’ karrierën e tij dhe për këtë arsye iu bashkua Chelseat, pasi siç raportohet ka pranuar një ulje masive të pagës.
Sidoqoftë, jo të gjithë besojnë se transferimi i Sanchos në ‘Stamford Bridge’ ka të bëjë tërësisht vetëm për futboll.
Ish-mesfushori i Chelseat, Emmanuel Petit, ka sugjeruar se vendimi i 23-vjeçarit për t’u transferuar në Londër mund të ketë ardhur për shkak të parave dhe jo për shkak të dëshirës për ta ‘ringjallur’ karrierën.
“Klubi nuk është i vetmi përgjegjës për këtë situatë, pasi këtu kanë dorë edhe futbollistët. Si mund të transferohej Sancho tek Chelsea pas asaj që ndodhi tek Manchester United? Ai u huazua tek Borussia Dortmundi, më pas u rikthye tek Unitedi, dhe tani është transferuar tek Chelsea që ka 40 ose më shumë futbollistë dhe ai është vetëm njëri prej tyre”.
“A nuk ka ndërruar mjaftueshëm klube, duke humbur rrugën në fushë dhe duke humbur vetëbesimin? Ai tani është në një klub që nuk ka konsistencë, kanë mungesë të besimit dhe rezultateve. Nëse ai nuk është atje për para, atëherë për çfarë është pra?”, ka thënë Petit.
Mesfushori francez gjithashtu kritikoi edhe politikën e transferimeve të Todd Boehly duke përdorur sarkazëm.
“Nuk jam i sigurt se si mund të krijoni unitet mes lojtarëve të cilët mendojnë vetëm për veten. Ne duhet ta quajmë afatin kalimtar si ‘afati kalimtar i Chelseat’. Unë thjesht nuk e kuptoj se si është politika e transferimeve e Todd Boehly”, përfundoi ai./Telegrafi/