Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo është ende në dyshim për të ardhmen, ndërsa ish sulmuesi i “Zonjës së Vjetër”, Raffaele Palladino, beson se bianconerët duhet ta zëvendësojnë atë me Gian Piero Gasperini.
Juventusi është 12 pikë prapa kryesuesit Interit dhe sipas gjitha gjasave do ta humbasin Scudetton e tyre të dhjetë me radhë.
“Zonja e Vjetër” përballet me Atalantan si mysafir të dielën, ku i ndajnë vetëm një pikë në renditje.
“Ai ka metodën e tij dhe një personalitet të fortë. Ai imponohet kur bashkohet me një klub të ri”, ka thënë Palladino, ish sulmues i Juventusit për La Gazzetta dello Sport.
Gasperini ishte trajner i Palladinos në Crotone dhe në sektorin e të rinjve te Juventusit dhe njihen mjaftë mirë.
“Unë mendoj se ai do të ishte trajneri ideal për lojtarë si [Federico] Chiesa dhe [Dejan] Kulusevski”.
“Unë kam thënë të njëjtën gjë për gjashtë-shtatë vjet. Gasperini është gati për Juventusin”.
“Stili i tij i lojës është modern dhe do të ishte perfekt për kaq shumë lojtarë të Juventusit. Gasperini e njeh mirë mjedisin dhe ka gjithçka për të pasur sukses në një klub si Juventus”, deklaroi Palladino.
Gasperini kaloi gati dhjetë vjet si trajner në sektorin e të rinjve të Juventusit dhe u emërua trajner i Atalantas në vitin 2016. /Telegrafi/